Lajme

Dështon përsëri evakuimi në Mariupol, Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën


Separatistët pro-rusë dhe Garda Kombëtare e Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për dështimin në krijimin e një korridori humanitar jashtë qytetit ukrainas të Mariupol-it të dielën – hera e dytë që palët përpiqen ta rregullojnë atë.

Televizioni “Ukraina 24” tregoi një luftëtar të Regjimentit Azov të Gardës Kombëtare, i cili tha se forcat ruse dhe pro-ruse që kanë rrethuar qytetin port me rreth 430 mijë njerëz vazhduan të bombardojnë zonat që ishin menduar të ishin të sigurta.

Agjencia e lajmeve “Interfax” citoi një zyrtar të administratës separatiste të Donetsk-ut, i cili akuzoi forcat ukrainase për mosrespektim të armëpushimit të kufizuar.

Zyrtari separatist tha se vetëm rreth 300 njerëz janë larguar nga qyteti. Autoritetet ukrainase kanë thënë më herët se kanë planifikuar të evakuojnë mbi 200 mijë njerëz nga Mariupol.

Sot është dita e 11 e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë pavarësisht sulmeve ruse.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 351 civilë dhe 7 mijë e 70 të lënduar në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore