Gjykata Speciale

Dëshmitari i dytë vazhdon dëshminë në Speciale, seanca sërish e mbyllur


Ilustrim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të mërkurën po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjegjësisht me dëgjimin e dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmia e dëshmitarit të dytë kishte nisur të hënën pyetje ndaj tij kishte parashtruar Zyra e Prokurorit.

Seanca ku u dëgjua dëshmia e dëshmitarit në fjalë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ishte në të shumtën e rasteve e mbyllur për publikun.

Të martën pyetje ndaj dëshmitarit po parashtron përsëri Zyra e Prokurorit, ndërsa seanca sërish është e mbyllur për publikun.

Seanca është e mbyllur për publikun me arsyetimin se përgjigjet e dëshmitarit do të mund të ndikonin në zbulimin e identitet të tij.

Por, ajo që u bë e ditur në pak minuta seancë të hapur, ishte se dëshmitari ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së.

Ai po ashtu ka thënë se Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë kishte ushtruar presion që Lidhja Demokratike e Kosovës ta pushoj aktivitetin e saj.

Gjatë dhënies së dëshmisë, dëshmitari tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i LDK-së, teksa ka folur për organizimin dhe strukturën e kësaj partie në vitet 1990, specifikisht në komunën e Malishevës.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

Ndryshe, të hënën në Gjykatën Speciale ka përfunduar dëshminë e saj dëshmitarja e parë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Dëgjimi i dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë javës së kaluar ishte bërë tërësisht në seanca të mbyllura për publikun. Ajo kishte dhënë dëshminë e saj të martën, të mërkurën të enjten dhe të hënën.

Dëshmitari

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar lexoi aktakuzën e ndryshuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në po të njëjtën seancë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Ndërsa më 4 prill seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit, Veselit, dhe Selimit, si dhe deklaratat pa betim të këtyre të fundit.

Ndërkaq në seancën e 5 prillit u dha fjala hyrëse e mbrojtës së Krasniqit dhe ky i fundit tha deklaratën pa betim.

Dhomat e Specialuzuara pasi dështuan fatalisht me Raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qënie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve”, me anë të pjesëmarrjes së tyre në “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera që janë marrë nga shtëpitë e të akuzuarve, që sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e tyre.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke pretenduar se UÇK-ja ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm.

Ndërkaq, prokurori tjetër, Matthew Halling, tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, i cili besonte në rezistencë paqësore kundër Serbisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se në kohën që e mbulon aktakuza, në Kosovë dhe veri të Shqipërisë – Kukës dhe Cahan – ka pasur mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin ndaluar më shumë se 400 persona. Të paktën 102 ishin vrarë dhe mbi 20 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Gregory Kehoe, avokati i Thaçit, tha se klienti i tij gjatë kohës së aktakuzës kishte qenë drejtor politik i UÇK-së dhe më pas kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, por nuk kishte pasur përgjegjësi e as nuk e kishte kontrolluar UÇK-në.

Mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson, tha se prokuroria nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmitar që e lidh klientin e tij me ndonjë pikë të akuzës, edhe pse janë intervistuar mijëra dëshmitarë nga prokuroria, asnjë prej tyre nuk thotë se që e ka parë që Veselin të ketë nxitur ndonjë vepër kriminale.

Avokati mbrojtës i Selimit, Geoffrey Roberts, në fjalën e tij hyrëse para trupit gjykues në Hagë, tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët vendosën të nisnin luftën për liri.

Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj ishte zëdhënës i UÇK-së dhe për një kohë edhe zëvendëskomandant për mbështetje në UÇK, por nuk kishte asnjë përgjegjësi operacionale, teksa shtoi se ndryshe nga pretendimet e prokurorisë, UÇK-ja “nuk ka pasur asnjëherë një zinxhirë vertikal komande”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore