Lajme

Dëshmia e të dyshuarve të Haiti-t, arrestimi dhe jo vrasja e presidentit


Një grup kolumbianësh dhe amerikanësh haitianë, të dyshuar për vrasjen e presidentit të Haiti-t, Jovenel Moise, u kanë thënë hetuesve se ishin për ta arrestuar, jo për ta vrarë atë.

Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve, Miami Herald dhe një person me njohje në këtë çështje.

Presidenti Moise u qëllua për vdekje të mërkurën e herët të 7 korrikut në shtëpinë e tij në Port-au-Prince. Vrasje për të cilën autoritetet vendase thonë se u krye nga 28 mercenarë të huaj të përbërë nga 26 kolumbianë dhe dy amerikanë të Haiti-t, duke e zhytur vendin e trazuar të Karaibeve në trazira më të thella.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se vrasja dhe pasiguria për atë që ka kurdisur komplotin është e fundit në një varg goditjesh në drejtim të vendit që po lufton dhe që ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Deri më tani, Washington-i ka hedhur poshtë kërkesën e Haiti-t për trupa, megjithëse një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se Washington-i po dërgonte një ekip teknik për të vlerësuar situatën.

Miami Herald, duke cituar njerëz që kishin folur me disa nga 19 të dyshuarit e arrestuar deri më tani, ka zbuluar se ata thanë se misioni i tyre ishte të arrestonin Moise dhe ta çonin në pallatin presidencial.

Reuters tregon se lajmi pason raportet se disa nga kolumbianët kishin thënë se kishin shkuar për të punuar si personel i sigurisë në Haiti, duke përfshirë edhe vetë Moise.

Ndërkohë, Miami Herald raportoi se kolumbianët e ndaluar thanë se ata ishin marrë për të punuar në Haiti nga kompania me qendër në Miami e quajtur CTU Security, e drejtuar nga emigranti venezuelian Antonio Enmanuel Intriago Valera.

Fund i dhunshëm

Të postuara në mediat sociale, fotografitë dhe imazhet me rreze X gjatë fundjavës thuhet se ishin nga autopsia e Moise-s, të cilat shfaqnin trupin e tij të mbushur me vrima plumbash, kafkë të thyer dhe kocka të tjera të thyera, duke nënvizuar natyrën brutale të sulmit.

Por Reuters nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.

Përmes mediave sociale, në pjesë të kryeqytetit Port-au-Prince, këtë javë haitianët po planifikonin protesta kundër kryeministrit të përkohshëm dhe kryetarit të përkohshëm të shtetit, Claude Joseph.

Reuters tregon se e drejta e Joseph-it për të udhëhequr vendin është sfiduar edhe nga politikanët, duke paralajmëruar për përkeqësimin e trazirave që kanë përfshirë vendin.

Ndërkohë, një nga udhëheqësit kryesorë të bandës në Haiti, Jimmy Cherizier, një ish oficer policie i njohur si Barbecue, ka deklaruar njerëzit e tij do të dilnin në rrugë për të protestuar për vrasjen.

Cherizier, shefi i të ashtuquajturës federata G9 e nëntë bandave, ka thënë se policia dhe politikanët e opozitës kishin komplotuar me “borgjezinë” për të “sakrifikuar” Moise.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore