Lajme

Dëshirat e ministres për rritjen e cilësisë në arsim


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në debatin me lëvizjen “FOL”, ka treguar se prioritet i kësaj ministrie është menaxhimi i situatës së shkaktuar nga pandemia.

Ajo ka theksuar se ministria e arsimit i ka pesë qëllime strategjike duke filluar prej menaxhimi i cilësisë në arsim, arsimit gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar pastaj në harmonizimin e shkollave profesionale në tregun e punës, menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet,  dhe i fundit ka të bëjë me përmisimin e mjedisit për hulumtim dhe inovacion.

“Është e vërtetë që pandemia me pasojat e veta ka krijuar shqetësime për të ardhmen, përpos menaxhimit të situatës me pandeminë në afat të shkurtër gjegjësisht rikthimit të nxënësve në objektet shkollore, duhet të jemi shumë të vëmendshëm në menaxhimin e pasojave që pandemia do ti lë në afat pak më të gjatë”, është shprehur Nagavci.

Ajo tutje ka treguar se qëllimi i kësaj ministrie është edhe përfshirja e fëmijëve në arsimin e hershëm.

“Për këtë e kemi planifikuar ndërtimin e objekteve të reja të çerdheve por edhe ri përshtatjen e hapësirave ekzistuese në mënyrë që të ofrojmë mundësinë për edukimin e hershëm”, ka thënë ajo.

Sipas saj, krahas infrastrukturës fizike do t’i kushtohet rëndësi edhe resurseve humane ku “në disa raste do të bëhet rikualifikimi i mësimdhënësve të cilët mund të mbeten pa norma ndërsa në rastet e tjera duhet të bëhet edhe punësimi i stafit të ri”.

Përpos kësaj, te edukimi në shkollën fillore ajo ka sqaruar se MASHT ka planifikuar edhe shpërndarjen e shujtës për të gjithë fëmijët, me qëllim që të ofrohet një barazi për të gjithë.

Tutje ministrja Nagavci ka treguar se MASHT ka shqyrtuar mundësitë që të largohet notimi diferencial me nota.

“Qëllimi i kësaj është që e gjithë energjia e shpenzuar të jetë e fokusuar rreth vlerësimit formatik gjegjësisht tu jepet mundësia që të përmisohen kompetencat dhe shkathtësitë e fëmijëve në mësim nxënien e tyre”.

Një element tjetër i përmendur ishte edhe ndërlidhja e shkollave profesionale me tregun e punës. Lidhur më këtë, Nagavci ka thënë se kjo ndërlidhje bëhet në mënyrë që secili i ri që e kryen shkollën profesionale të jetë kompetent dhe të ketë mundësi që të gjejë një vend të punës.

Ndërsa sa i përket arsimit të lartë ajo ka thënë se “synojmë që të kemi një integritet akademik duke respektuar pavarësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të agjencisë kosovare të akreditimit”.

Përveç pandemisë, sfidë tjetër sipas Nagavcit është edhe çështja me të cilën përballen institucionet e arsimit në të gjitha nivelet duke filluar që nga formula për financimin e arsimit sipas të cilës aktualisht mbi një mijë e 280 mësimdhënës rrezikonin të mbeteshin pa punë.

“Kjo ndodhë për dy arsye, e para për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve në përgjithësi, për shkak të rënies së natalitetit apo migrimit por edhe për shkak të formulës financiare e cila është goxha e ngurtë”, është shprehur Nagavci.

Kur pyetet se a do të ketë një rishikim të teksteve aktuale, Nagavci ka thënë se ky rishikim duhet të ndodhë patjetër.

“Me urgjencë duhet të rishikohet ligji për tekstet mësimore i cili ka qenë në shqyrtim por nuk është finalizuar, ne e kemi paraparë në agjendën legjislative që brenda këtij viti të përfundojmë ligjin për tekstet mësimore”, ka treguar ajo.

Këto tesktë sipas Nagavcit, duhet jo vetëm të mos përmbajnë më pasaktësi shkencore e gabime drejtshkrimore por edhe që të mos nxisin paragjykimet dhe stereotipat.

Në anën tjetër, se sa do të jenë në gjendje që misnitria e arsimit t’i bëjë ballë kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Nagavci ka thënë se MASHT dhe qeveria Kurti nuk veprojnë me shantazhe.

“Për mua qenë e pakuptimtë që kryetari i SBASHK-ut të dalë me fjalë apo thashetheme. Jemi të hapur për bashkëpunim, jemi të gatshëm dhe të interesuar që të mbështesim çdo mësimdhënës në punën që e bëjnë”, është shprehur ajo.

Po ashtu, misnitrja ka përmendur edhe mësimdhënësit me sëmundje të rënda shëndetësore, gjë që sipas saj janë në numër të madh.

“Ka shumë raste të tilla. Tashmë e kemi siguruar buxhetin në dispozicion që të jemi në mbështetje të tyre të cilët kanë probleme shëndetësore, në mënyrë që ata që kanë probleme shëndetësore të rënda, të shfrytëzojnë të drejtën që të mos paraqiten fizikisht në punë apo të paraqiten me një orar më të shkurtër”, ka thënë ministrja Nagavci.

Në fund të diskutimit, ajo është pyetur edhe për pagat jubilare, për të cilat ka thënë se ka një dëmtim të planifikimit buxhetor për shkak se përmbaruesit privat i kanë tërheqë mjetet kudo që kanë pasur mundësi.

“Për pagat jubilare dhe pagat përcjellëse, në grantin specifik i kemi paraparë këto mjete, nuk do të ketë më nevojë që të merren me anë të padive sepse tashmë veç se janë të alokuara në buxhetin e vitit 2022”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore