Lajme

Delawie i zhgënjyer me Serbinë: Vuçiç të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë


Greg Delawie

Për ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, është zhgënjyese fakti që Beogradi zyrtar ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te serbët e Kosovës që të njëjtit të bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e shumëpërfolura në Veri përfunduan qetë dhe pa asnjë incident, mirëpo siç edhe pritej pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte tejet e ulët, kjo për shkak të bojkotimit të serbëve, e të cilët janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës.

Vetëm 1 mijë e 567 qytetarë votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur të dielën e 23 prillit, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Një qëndrim i tillë i serbëve lokalë karshi një procesi demokratik si zgjedhjet, sipas Delawie është gabim, kjo pasi që sipas tij mënyra më e mirë që serbët të përmirësojnë pozicionin e tyre në Kosovë kalon nga zgjedhja e përfaqësuesve.

“Dhe që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të punojnë me deputetë të tjerë në projekte për të përmirësuar komunitetet e tyre dhe vendin në tërësi ”, ka thënë Delawie për Zërin e Amerikës.

Delawie beson se Serbia në vend që të krijojë probleme me Kosovës duhet të përqendrohet në përmirësimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin e tij në mënyrë për t’u integruar më shumë me pjesën tjetër të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore