Përballje

Deklaratat e trajnerit dhe futbollistëve para ndeshjes historike të Prishtinës


Këtë të martë, me fillim nga ora 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, Prishtina do të përballet me kampionin e San Marinos, FC Folgore, në kuadër të parakualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Turneu fillimisht ishte programuar që të zhvillohet në ishujt Faroe, mirëpo kufizimet për shkak të coronavirusit, bënë që të zhvendosej në Shqipëri.

Kjo gjë, më së miri u shkon për shtat kampionëve të Kosovës, të cilët tash e katër ditë gjenden në qytetin e Elbasanit, për t’u përgatitur sa më mirë për këtë ndeshje.

Trajneri i bardhekaltërve, Zekirija Ramadani, deklaroi para ndeshjes se janë të përgatitur maksimalisht për këtë sfidë, por nuk duhet nënvlerësuar aspak kundërshtari.

“Kjo garë është e re për klubin tonë. Kundërshtarin e njohim shumë pak, por jemi munduar për të marrë informata për ta. Gjithsesi duhet ta marrim seriozisht këtë takim, sepse shumë analistë e kanë quajtur amatore kundërshtarin tonë, por ajo nuk duhet të na lirojë aspak, por duhet të mobilizohemi dhe të luajmë sikur të jemi përballë kundërshtarit më të fortë”, deklaroi trajneri Zekirija Ramadani.

“Kemi kushte ideale, fusha është e përkryer, i besoj skuadrës në përgatitjen fizike dhe mentale, për dëshirën që kanë futbollistët për të dhënë maksimumin. Jam i bindur nëse arrijmë të japim maksimumin, atëherë nuk e diskutojmë aspak fitoren”, shtoi Ramadani.

Po ashtu, edhe futbollisti Lorik Boshnjaku, tha se nuk e njohin fare kundërshtarin, por ai beson se Prishtina do të kualifikohet në finale.

“E presim me qetësi dhe vetëbesim shumë të madh përballjen tonë me Folgore. Shpresojmë shumë në rezultat pozitiv dhe kalimin në finale, megjithëse pothuajse nuk kemi fare informata për kundërshtarin”, tha Lorik Boshnjaku.

Edhe mbrojtësi Gledi Mici e sheh shumë pozitiv faktin që kanë udhëtuar më herët për në Elbasan, pasi tani janë përshtatur me klimën në këtë vend.

“Kemi bërë shumë mirë që kemi ardhur katër ditë para ndeshjes, që të ambientohemi me klimën, sepse këtej është diku gjashtë deri në shtatë gradë më nxehtë. Ekipi duket në formë të mirë, i përqendruar, thjesht jemi të qetë që të japim maksimumin dhe të arrijmë objektivin që ia kemi dhënë vetes”, tha Mici.

Ai shtoi se nuk do ta kenë të lehtë aspak përballjen e sotme, ku gjithashtu kërkoi përqendrim maksimal nga bardhekaltërit.

“Kemi dëgjuar të gjithë të thonë se këto janë ndeshje të lehta dhe Prishtina është favorite, por në futboll nuk ka asnjëherë favorit, pasi të tre ekipet janë kampione në vendet e tyre dhe, përderisa janë kampionë, duhet të kenë cilësi dhe shënojnë gola. Kështu që të ulim kokën, të jemi maksimalisht të përqendruar dhe të japim maksimumin tonë, sepse në futboll asnjëherë nuk i dihet”, theksoi Gledi Mici.

Edhe mesfushori Endrit Krasniqi tha se grumbullimi që skuadra ka bërë në Elbasan para katër ditësh është shumë pozitiv.

“Mendoj se na ka bërë shumë mirë ky grumbullim para ndeshjes këtu në Shqipëri. Kemi krijuar një lloj adaptimi me klimën këtu, sepse është më nxehtë se te ne në Prishtinë”, tha Krasniqi.

“Gjendja e ekipit është shumë e mirë, jemi të përgatitur duke e ditur rëndësinë e këtij turneu. Na pret, së pari, ndeshja e parë dhe për ne është e paparashikuar, megjithëse konsiderohemi favoritë”, u shpreh Endrit Krasniqi.

Në rast se Prishtina e fiton këtë takim, atëherë më 25 qershor, në finale do të përballet me njërën mes kampionit të Ishujve Faroe, HB Torshavn apo kampionit të Andorrës Inter Escaldes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore