Shqipëria

Deklarata mjedisore mbi HEC-in e Kalivaçit, administrativja rrëzon padinë e kompanisë


Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar padinë e ngritur nga kompania zhvilluese e HEC-it të Kalivaçit kundër Deklaratës Mjedisore negative të lëshuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, duke e quajtur atë si “thelbësisht të pabazuar”.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit bashkuan forcat për të rezultuar në Deklaratën Mjedisore Negative të shtatorit të vitit 2020. Sipas saj, procedurat për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit duhet të ndërpriteshin.

Kompania sipërmarrëse e projektit e ngriti padinë ndërkaq në shkurt të vitit 2021. Në thelb të saj, ishte pikërisht kundërshtimi i vendimit të ministrisë.

Për të rezultuar në këtë vendim, pala mbrojtëse u bazua në një raport të kryer nga shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj mbi vlerësimin mjedisor të lumit Vjosë. Raporti i vlerësimit mjedisor i kompanisë turke, ishte kritikuar nga ekspertët.

Banorët e zonës kanë qenë gjithashtu të përfshirë në këtë çështje. Po ashtu, edhe organizata shqiptare dhe ndërkombëtare. Veçanërisht në muajt e fundit, një fushatë e madhe për prezervimin e lumit Vjosë mori udhë.

Shqetësimet mbi prekjen e biodiversitetit të lumit ishin ndër argumentet kryesore të tyre.

Tashmë Gjykata i dha të drejtë kësaj qasjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore