Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Serbia t’i zbatojë Raportin e Institucionit Demokratik dhe të Drejtave të Njeriut (ODIHR), sa i përket zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të mbajtura më 17 dhjetor, ku kanë vënë në pah problematikat që u shoqëruar gjatë këtij procesi, dhe rolin e presidentit, Aleksandër Vuçiç, në këto parregullsi.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan i ka bërë thirrje Serbisë që të punojnë me OSBE-në për zbatimin e këtyre rekomandimeve.
“Ne presim që qeveria ta bëjë këtë pa vonesë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it për Zërin e Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.
Në raportin përfundimtar të ODIHR-it thuhet se edhe pse teknikisht të mirëadministruara dhe duke u ofruar votuesve një zgjedhje të alternativave politike, “zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë në vitin 2023, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, e cila, së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet, krijoi kushte të padrejta për garuesit”.
“Në përgjithësi, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ato u dëmtuan nga retorika e ashpër, paragjykimet në media, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”, thuhet në raport.
Raporti i ODIHR-it ka dhënë 25 rekomandime për të mbështetur përpjekjet për t’i sjellë zgjedhjet më tej në përputhje me angazhimet e OSBE-së, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Rekomandimet kryesore përfshijnë rishikimin e legjislacionit për të adresuar në mënyrë efektive rekomandimet e mëparshme përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës të ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik, por edhe prezantimin e trajnimit të detyrueshëm të standardizuar për të gjithë anëtarët e komisioneve vendore zgjedhore dhe këshillave të votimit, duke përfshirë përbërjet e zgjeruara të këtyre organeve.
“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi në kohë, gjithëpërfshirës dhe të synuar për edukimin e votuesve, duke përfshirë të drejtat e votuesve, parandalimin e votimit në grup dhe rëndësinë e votimit me votim të fshehtë”, thuhet tutje.
“Kryerja e një auditimi kuptimplotë të regjistrave të votuesve dhe civilëve me pjesëmarrjen e palëve të interesuara; Marrja e masave për parandalimin e keqpërdorimit të detyrës dhe burimeve shtetërore dhe adresimi proaktiv i shkeljeve”, shtohet.
Ndërkaq, rekomandohet edhe zbatimi i mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes ligjore dhe institucionale për të parandaluar frikësimin dhe presionin ndaj votuesve, “përfshirë punonjësit e institucioneve publike dhe shtetërore”
“Garantimi efektiv i pavarësisë së Autoritetit Rregullativ të Medias Elektronike dhe adresimi në mënyrë proaktive i shkeljeve mediatike të identifikuara përmes monitorimit sistematik të medias”, theksohet në raport.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet e parakohshme parlamentare serbe filloi punën më 15 nëntor dhe qëndroi në Serbi deri më 27 dhjetor 2023.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Osmani uron Plenkoviç-in për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Kroacisë
-
Kush janë hebrenjtë ultraortodoksë dhe pro-palestinezë?
-
Liderët e “VLEN”-it në Prishtinë për të marrë “bekimin” e Kurtit për koalicionin me Mickoski-n
-
Gantz: Kërkojmë një plan për Gazën deri më 8 qershor ose do të largohemi nga qeveria
Lajmet kryesore
-
Liderët e “VLEN”-it në Prishtinë për të marrë “bekimin” e Kurtit për koalicionin me Mickoski-n
-
SPAK zbardh aleancat mes bandave: Nga Martinaj te klani Duka, dhuna e egër karakteristikë e tyre
-
Kush janë hebrenjtë ultraortodoksë dhe pro-palestinezë?
-
Mustafa: Ndërkombëtarët s’po e kërkojnë Asociacionin tim e të Thaçit, por Zajedincën e Kurtit