Shqipëria

Çuçi falënderon Policinë e Shtetit: Historia u shkrua në Tiranë


“Historia u shkrua në Tiranë. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, duke falënderuar forcat e rendit për profesionalizmin që treguan një ditë më parë në finalen e Conference League.

Çuçi theksin e vendosi te përkushtimi i tyre “i jashtëzakonshëm”.

Sipas Ministrit ata garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre

“Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla”, vijonte postimi i Ministrit në median sociale Facebook.

Ai e përmbylli postimin me një mesazh për efektivët e Policisë së Shtetit.

“Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve”.

Finalja e Conference League, Roma-Feyenoord, u zhvillua në stadiumin shqiptar “Air Albania”, më 25 maj.

Mijëra tifozë italianë dhe holandezë “pushtuan”, kryeqytetin që prej datës 24 maj.

Çfarë ndodhi në ‘Air Albania’?

Roma u shpall fituese e UEFA Conference League duke mposhtur 1-0 Feyenoord-in, në stadiumin “Air Albania”.

Ndeshja nisi me një ceremoni spektakolare dhe u mbyll me “yllin” e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili solli trofeun në stadium.

Roma shënoi në minutën e 32-të me anë të Zaniolos dhe kështu përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.

Disa çaste më vonë, Feyenoord-i ishte pranë golit të barazimit. Në këtë pjesë të dytë holandezët kërkuan golin e barazimit, por pa e arritur atë.

Kapiteni i Romës, Lorenzo Pellegrini, ishte ai që ngriti kupën për verdhekuqtë e kryeqytetit italian.

Kjo është kupa e parë evropiane, që Roma merr pas 60 vitesh dhe finalja e parë e këtij kompeticioni evropian, që luhet për herë të parë në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore