Shqipëria

Çuçi dhe Sveçla presin të riatdhesuarit nga Siria


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi dhe homologu i tij i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë mirëpritur një numër të riatdhesuarish nga Siria, ku bëhet fjalë për fëmijë dhe gra, të cilët gjendeshin në kampet siriane të luftës.

Ditën e djeshme, ishte zyrtari i lartë sirian, Abdulkarim Omar, i cili përmes një postimi në median sociale Twitter, ka bërë me dije, se 13 shtetas shqiptarë të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare.

Në terma konkretë, bëhet fjalë për katër gra dhe nëntë fëmijë shqiptarë të riatdhesuar. Fëmijët janë të moshës nga 6 deri në 16 vjeç dhe mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës së bashku me disa shtetas të tjerë kosovarë.

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen SHBA-ve, nëpermjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.

Çuçi gjeti edhe rastin të falënderojë ndihmën e amerikanëve për këtë mision të radhës riatdhesimi.

“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre”, theksoi ai gjatë pritjes së tyre. “Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua”.

Riintegrimi i këtyre personave do të bëhet sipas një modeli të konsoliduar pranë një qendre të specializuar të pritjes, e cila është e ngritur enkas për këto lloj operacionesh.

Nga ana tjetër, Sveçla konfirmoi po ashtu se do të ketë riatdhesime të tjera.

“Puna jonë nuk përfundon këtu”, nënvizoi ai. “Ekipet tona tashmë kanë shumë punë që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen”.

Në përfundim të kontrolleve mjekësore paraprake 13 gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nisën të transferohen nga aeroporti i Prishtinës drejt Shqipërisë nën shoqërimin e Policisë së Shtetit dhe kujdesin e veçantë të punonjësve të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore