Lajme

Cramon, Qeverisë: Para se të flisni për Serbinë, kryeni detyrat e juaja


Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po ia humb kredibilitein ndërkombëtar vendit.

Ajo i ka bërë thirrje ekzekutiv kosovar që t’i zbatojë marrëveshjet me Serbinë dhe të fokusohet më shumë te vetja.

“Para se të flisni për palën serbe është më mirë që fillimisht t’i kryeni detyrat e juaja ”, tha ajo gjatë një interviste në Tëve 1.

Sipas saj, Kosova duhet t’i kryej obligimet që i ka marrë përsipër, deri sa ka shtuar se “ju nuk bëni kurrfarë ndryshimi nëse e drejtoni gishtin diku tjetër”.

“Nëse Kosova dëshiron të bëhet një lojtare e rëndësishme në mesin e komunitetit ndërkombëtar, duhet ta dëshmojë fillimisht se është një lojtare kredibile”, potencoi Cramon.

Kur është pyetur për situatën në Veri, ajo ka shtuar se do ishte një veprim i duhur nga Prishtina nëse largohen tërësisht Njësitet Speciale të Policisë nga objektet komunale, meqë sipas saj, e gjithë rrëmuja që është krijuar në këtë pjesë duhet të rregullohet.

“Lidhur më këtë çështje tashmë ka një marrëveshje dhe ajo vetëm duhet të respektohet”, ka thënë Cramon.

Ndërkaq policia e Kosovës nga ka zvogëluar njësitë policore edhe për 25 për qind përreth objekteve komunale të komunave në Veri, kjo pas 25 për qindëshit të parë si pjesë e planit të de-eskalimit të situatës që u dakordua me 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në marrëveshjen e publikuar nga Qeveria, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore