Lajme

Të premten nis largimi edhe i 25% të policëve nga objektet komunale në Veri


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës nga e premtja do të fillojë zvogëlimin e njësive policore edhe për 25 për qind përreth objekteve komunale të komunave në Veri, kjo pas 25 për qindëshit të parë si pjesë e planit të de-eskalimit të situatës në Veri, që u dakordua me 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën e policisë bëjnë me dije se kjo ka ardhur si rezultat i takimit punues në mes të Policisë së Kosovës, Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX-it dhe KFOR-it, në kuadër të zbatimit të dakordimit të arritur në Bratislavë, përkatësisht hapit të dytë të këtij dakordimi, “për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave Veriore”.

“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri”.

Ndërkaq, aty potencohet se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, “do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”.

Ndërsa, tërheqja e 25 për qind të zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në Veri dhe zonat përreth tyre kishte përfunduar me 13 korrik.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim”, tregonte ai për AP.

Ndryshe, edhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, në një intervistë për “EuroNews Serbia”, këtë të enjte ka thënë se prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës është reduktuar jashtëzakonisht shumë.

“Në vlerësimin tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në Veri është reduktuar jashtëzakonisht shumë dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i gjithashtu ka shtuar praninë e tij në Veri – tani kemi patrullat tona që synojnë të plotësojnë boshllëkun e krijuar pas dorëheqjes të policëve serbë nga puna në fund të majit 2023”, tha ai.

Barbano thekson se EULEX-i është në gjendje ta kontrolloj situatën nëse është e nevojshme, meqë sipas tij, “ne jemi këtu për të ruajtur sundimin e ligjit në Kosovë dhe institucionet e saj për të arritur punë më efikase me qëllim të respektimit të të drejtave të njeriut”.

“EULEX-i mund të veproj vetëm në përputhje me mandatin e tij”, shtoi ai.

“Ne ende nuk kemi marrë një kërkesë të tillë dhe, sido që të jetë, kryerja e detyrave të zakonshme policore nuk është pjesë e mandatit të EULEX-it”.

Kreu i EULEX-it potencoi se tani situata është “shumë më stabile dhe paqësore”.

Çka pranoi Kosova në Bratislavë?

Më 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, qeveria kishte pranuar planin e de-eskalimit të situatës në Veri, që ishte prezantuar që një kohë nga BE-ja dhe që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Kosova – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore