Kosova

Një muaj paraburgim për boshnjakun e dyshuar për krime lufte në Kosovë


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp se ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji (30 ditë) ndaj një personi të nacionalitetit boshnjak, por shtetas serb, i cili dyshohet për krime lufte.

Në komunikatë thuhet se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e masës, duke shtuar se përpos dyshimit të bazuar, në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit dhe t’i shmanget ndjekjes penale.

“Gjykata Themelore vlerësoi se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, respektivisht përpos dyshimit të bazuar, në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit”, njoftoi gjykata.

Ndryshe, policia e Kosovës arrestoi një person të shtunën në kufirin verior të vendit, në Bërnjak, nën dyshimin se kreu krime lufte kundër civilëve gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë, njoftuan autoritetet kosovare.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi në dhjetor të vitit të kaluar për ngritjen e 33 aktakuzave kundër 89 personave për krime lufte në Kosovë. Prej përfundimit të luftës së fundit, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore