Lajme

CNN: Nord Stream 2, shkaku i anulimit të takimit Zelensky-Baerbock


Gazetari i “CNN”, Jake Tapper, ka deklaruar se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky anuloi takimin e tij sot me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock sepse ajo refuzoi të thoshte se Gjermania do të braktiste gazsjellësin Nord Stream 2.

Kjo, edhe nëse Rusia do pushtonte fqinjin e saj.

Një burim i afërt me qeverinë ukrainase ka konfirmuar këtë lajm për CNN.

Sipas burimit, një motiv tjetër është edhe refuzimi i Gjermanisë për të ofruar ndonjë ndihmë ushtarake, direkt ose indirekt në Kiev.

Zyrtarisht anulimi u përshkrua si një gabim në agjendë, por Tapper shkruan se kjo ishte e qëllimshme.

“Gjermania shihet gjithnjë e më shumë si një aleat rus sesa një aleat perëndimor nga shumë njerëz në Evropën Lindore dhe Kiev”, përmbyll informacionin “CNN”.

Më herët, ishte agjencia “Reuters”, që do e konfirmonte gjithashtu lajmin se Baerbock nuk do të takohet me presidentin ukrainas.

Referuar burimeve diplomatike, u planifikua një takim me kryeministrin ukrainas Denys Shmygal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore