Shqipëria

Çfarë ka ndodhur me refugjatët ukrainas në Shqipëri


Nga 24 shkurti deri më 31 dhjetor 2022, rreth 32 mijë ukrainas hynë në Shqipëri, nga të cilët afro 29 mijë u larguan nga vendi.

Kështu bën të ditur raporti më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Deri në fund të dhjetorit 2022, rreth 2 mijë 500 ukrainas që kanë ikur nga lufta në Ukrainë vlerësohej të ishin të pranishëm në Shqipëri.

Midis 7 nëntorit dhe 31 dhjetorit të vitit të kaluar, IOM-ja kreu një vlerësim të zhvendosjes së shpejtë dhe nevojave në Shqipëri duke intervistuar të anketuarit në shtatë vende: Durrës, Sarandë, Tiranë, Vlorë, Kavajë, Vorë dhe Shkodër.

Organizata gjatë kësaj kohe ka mbledhur më shumë informacion të thelluar mbi profilet, synimet dhe nevojat e ukrainasve të pranishëm në Shqipëri.

Raporti i IOM-it nënvizon se pothuajse 90 për qind e refugjatëve ukrainas të intervistuar ishin gra, gjysma e tyre në grupmoshën 30 deri në 39 vjeç.

Shumica prej tyre udhëtuan në grupe të përbëra nga anëtarë të familjes, zakonisht grupe deri në tre persona.

Tetëdhjetë për qind ishin ose të punësuar ose të vetëpunësuar përpara se të largoheshin nga Ukraina dhe të mbërrinin në Shqipëri, me 40 për qind të punësuar ende në kohën e intervistës.

Megjithatë, pothuajse dy të tretat e të intervistuarve deklaruan se po planifikonin të kërkonin punë në Shqipëri.

Niveli i arsimimit në mesin e të intervistuarve ishte i lartë, dy të tretat deklaruan se kishin diplomë Master ose PhD (doktoraturë).

Pesë rajonet kryesore të origjinës ishin qyteti dhe rajoni i Kiev-it, Kharkiv, Dnipropetrovsk, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia, që përbëjnë mbi 80 përqind të të anketuarve.

Kujtojmë që Qeveria shqiptare u ka dhënë të drejtën e qëndrimit në Shqipëri shtetasve ukrainas deri në një vit pa pasur nevojë për leje qëndrimi.

Kjo ka bërë që vetëm një pjesë e vogël e tyre të aplikojnë për qëndrim të përkohshëm.

Përsa i përket akomodimit, dy të tretat ishin akomoduar në apartamente/shtëpi me qira.

Sipas raportit të IOM-it, sfidat kryesore të raportuara lidhur me akomodimin ishin mungesa e objekteve për deponimin e mbeturinave dhe ngrohja e pamjaftueshme.

Kurset e gjuhës, komunikimi me familjen dhe miqtë në Ukrainë, si dhe informacioni dhe asistenca me dokumentacionin dhe shërbimet konsullore ligjore u përmendën si nevojat më të rëndësishme të të intervistuarve, shton publikimi.

Shumica deklaruan se do të donin të kishin një qendër ukrainase ku mund të takoheshin, të shkëmbejnë informacione, të organizojnë ngjarje dhe të njihen me kulturën vendase.

Mbi 80 për qind e atyre që kanë fëmijë deklaruan se fëmijët e tyre po ndiqnin shkollën, me shumicën që ndiqnin mësimin online nga Ukraina.

Ndërtimi i ngjarjes

Në mesin e zhvillimeve të luftës në Ukrainë, autoritetet shqiptare do të shprehnin menjëherë gatishmërinë e tyre për të mirëpritur refugjatë ukrainas.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, mbrëmjen e 25 shkurtit theksonte se kjo ishte pasuria që “kemi detyrë tua trashëgojmë fëmijëve tanë, si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës morale të këtij kombi”.

“Ne sot në samit jemi angazhuar në fakt këtë herë, e kanë bërë këtë gjë shumë vende të tjera, jo si herën e parë për afganët e shkretë që i lanë rrugëve”, kujtoi ai.

Sipas tij, megjithëse prej vitesh ishin në krah të forcave të NATO-s për të mikpritur njerëzit, familjarët do të largohen nga Ukraina.

“Siç e thashë në këtë situatë, çështja e këtyre njerëzve do jetë në vëmendje të shumë vendeve”, shtoi kreu i Qeverisë.

Më 13 mars një familje e përbërë nga tre anëtarë – mamaja dhe dy fëmijët – me prejardhje nga Ukraina, do të mbërrinin në Laknas të Tiranës.

Ata ishin zyrtarisht familja e parë e refugjatëve ukrainas të ardhur në Shqipëri pas agresionit rus në vendin e tyre.

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj më 16 qershor në një konferencë përpara debatit të hapur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të përgëzonte disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shqipërinë për strehimin e rreth 7 milionë ukrainasve të zhvendosur me forcë nga lufta.

Nga OSBE-ja te Karakurt-i, pikëprerjet historike mes Shqipërisë dhe Ukrainës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore