Kosova

Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro, thotë Murati


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murati theksoi se të mërkurën kanë dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, “e cila parasheh që buxheti i komunave të rritet në 742.3 milionë euro”.

“Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 rritet për gati 90 milionë euro krahasuar me vitin 2023”, potencoi ai.

Kurse, pohoi ai, “nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë”.

Këtë ai e paraqiti si sukses të qeverisë “në menaxhimin më të mirë të financave publike dhe në mbledhjen e të hyrave përkthehet në buxhet më të lartë për komunat”.

Ndryshe, opozita vazhdimisht e ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për mënyrën e menaxhimit të financave publike, mungesën e investimeve kapitale, por edhe për politikat ekonomike në përgjithësi të këtij ekzekutivi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore