Lajme

Britania e Madhe: Në Serbi ka elemente që veprojnë në interes të Rusisë


Ilustrim

Ambasada e Britanisë së Madhe ka theksuar se në Serbi ka elemente të caktuara që veprojnë drejtpërdrejtë në interes të Rusisë duke kërcënuar stabilitetin dhe kapacitetet demokratike të Ballkanit Perëndimor.

Reagimi i tyre ka ardhur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh i zhgënjyer me deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili në Komisionin për Punë të Jashtme tha se Rusia përmes veglës së saj Serbisë po dëshiron ta destabilizojë rajonin.

Sipas ambasadës britanike, kryediplomati Cameron ka treguar se në Serbi ka elemente që punojnë drejtpërdrejtë në interes të Rusisë dhe “jo që vetë shteti i Serbisë është i përfshirë në këtë”.

“Serbia është një shtet i pavarur sovran dhe ne mirëpresim qëndrimin e qartë të qeverisë serbe në drejtim të kundërshtimit të luftës në Ukrainë. Ne do të vazhdojmë ta inkurajojmë Serbinë që të zbatojë sanksione kundër Rusisë. Mund të mos pajtohemi plotësisht, por mirëpresim dialogun e rregullt me ​​Qeverinë e Serbisë për këto çështje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore