Shqipëria

Bordi i transparencës: Ulet çmimi i naftës dhe benzinës, rritet gazi


Bordi i Transparencës në Shqipëri, në mbledhjen e tij të radhës më 29 mars 2022, ka vendosur që çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 225 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë për periudhën 29 mars-31 mars 2022 të jetë 199 lekë/litër.

Pra, nafta do të tregtohet me pakicë 237 lekë për litër nga 245 lekë që ishte.

Benzina po tregtohet më lirë se nafta, me 211 lekë për litër, 7 lekë më pak nga sa ishte.

Nga ana tjetër, çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 29 mars-31 mars 2022, u rrit me 6 lekë në 116 lekë për litër.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do të reflektohet më datë 29 mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme e këtij Bordi do të jetë ditën e enjte, datë 31 mars, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me furnizues të naftës, paralajmëroi se do të ketë masa deri në mbyllje për abuzuesit me çmimet.

“Nuk do të ketë asnjë tabelë në çdo pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim pa u aprovuar nga bordi. Kush e bën, do të humbasë karburantin”, deklaroi fillimisht Rama.

Referuar këtij vendimi, kryeministri ka sqaruar se “është luftë”.

“Nuk jam ideolog i tregut të lirë apo shtetit si fuqi diktuese në ekonomi, por thjesht e vetëm mendoj që liria ekonomike është themelore”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Rama sqaroi se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe ministrja e Financave dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në një tavolinë me pesë përfaqësues nga furnizuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore