Lajme

Sulmi ndaj familjes Muharremi në Medvegjë, Bislimi: Serbia të përmbahet nga aktet e dhunës


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dënuar sulmet ndaj familjes Muharremi në Medvegjë, derisa ka kërkuar nga Serbia që të përmbahet nga aktet e dhunës.

“Qeveria dënon ashpër aktet e vandalizmit dhe frikësimit ndaj familjes Muharremi në Medvegjë. Është shqetësuese dhe e papranueshme. Me sa duket për Vuçiçin çdo ditë pa ndonjë incident është një ditë e humbur. Serbia duhet të përmbahet nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar ai në platformën X.

Sipas tij, edhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi kërkoi rend, paqe dhe që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos ekspozohen ndaj akteve të tilla.

“Komuniteti ndërkombëtar të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë me kujdes situatën e sigurisë, veçanërisht. në Luginën e Preshevës”, ka shtuar Bislimi.

Një ditë më parë, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është sulmuar dhe frikësuar familja e Ruham Muharremit në Medvegjë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të monitorojë situatën në fjalë.

“Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre. Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”, ka theksuar ai.

“Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes”, potencoi Kamberi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore