Lajme

Biden flet për balonat kineze dhe vendos tre rregulla të reja për sigurinë amerikane


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp lidhur me çështjen e balonave kineze dhe objekteve të paidentifikuara në qiellin amerikan, duke përcaktuar kështu edhe tre rregulla të reja , të cilat do të shërbejnë për të ruajtur sigurinë ajrore.

Rregulli i parë, do të jetë ai i shtimit të monitorimit ajror, përmes objekteve ushtarake pa pilot (dronë).

I dyti, lidhet me menaxhimin sa më të shpejtë të çdo objekti ajrore të paidentifikuar, i cili futet në hapësirën e SHBA-ve.

Teksa, rregulli i tretë, i cili kërkon edhe më shumë kohë, është të vihet në lëvizje një program për të përditësuar rregullat e kalimit të objekteve të fluturimit pa pilot në hapësirën amerikane.

I prerë në këto tre vendime ka qenë Biden, i cili e theksoi rrezikshmërinë që vjen nga futja kundër çdo lloj akordi mbi sigurinë e përgjithshme ajrore e objekteve të huaja, të cilat pa diskutim, nuk do të lejohen të fluturojnë asnjë sekondë pas identifikimi tashmë, duke parë situatën e tensionuar.

Kjo kurrsesi nuk e pengon dialogun me homologun kinez, Xi Jinping, me të cilin Biden theksoi se do të vijojë të flasë me të. Por, kërkesë falje për rrëzimin e balonës kineze më 4 shkurt, nuk do të ketë.

Madje, ai ka ravijëzuar se nuk ka ende përmbyllje të hetimit mbi qëllimin e vërtetë të kësaj balone nga ana amerikane, por qëndrimi se ajo ka pasur objekt spiunazhin, vijon të mbetet arsyeja më solide e pretenduar.

Sanksione ndërkohë ka pasur edhe kundrejt gjashtë firmave kineze, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë e mbështesin programin hapësinor të Ushtrisë kineze, ku bëjnë pjesë edhe objektet fluturuese dhe balonat, të çdo lloji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore