Shqipëria

Berisha Ramës: Jemi armiq


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij kulmore gjatë protestës së 7 korrik, përballë Kryeministrisë, ka deklaruar se është “armik me kryeministrin Edi Rama”, pasi ata i ndan diçka thelbësore.

“Jemi armiq, sepse ti ke parim vetëm pushtetin, ndërsa unë vetëm lirinë”.

Kështu ka thënë Berisha përballë mbështetësve të tij, të cilët u mblodhën në protestë kundër Qeverisë.

Këta të fundit sipas ish-kryeministrit, u ngritën në këmbë pasi Shqipëria është në rrezik dhe pikërisht kjo gjë, ka bërë që ata të çohen ta shpëtojnë vendin.

“Sonte më shumë se kurrë, sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga ky shesh”, vijoi më tej Berisha. “Orët e tua, janë të numëruara.

Në kujtesë, ai risolli edhe fillimet e demokracisë në Shqipëri, ku krijimi i Partisë Demokratike, shënjoi edhe krijimin e partisë së parë opozitare në vend.

Kjo gjë, bëri që nga pushteti të rrëzohej edhe diktatura e fundit, që kishte të gjitha pushtetet, sipas Berishës.

Po në këtë mënyrë, në fjalët e tij, do të bjerë edhe Qeveria Rama, pavarësisht se sot ajo gëzon të gjitha pushtetet në Shqipëri.

Berisha nuk mbeti pa përmendur disa ngjarje gjatë fjalimit të tij, përfshi edhe çështjen e inceneratorëve, mbi të cilën ai foli më së shumti.

Sipas tij, Rama është i përfshirë në mënyrë direkte në këtë çështje dhe ka përfituar nga ajo.

Ndër të tjera, kryedemokrati përmendi edhe pretendime mbi afera të rrugëve në Shqipëri, ku ka thënë se segmente të ndryshme rrugore janë zhvilluar me tenderime fiktive dhe me vlerë shumë më të lartë nga sa do të ishte normalja.

Mbi pasuritë minerale të Shqipërisë, Berisha deklaroi se ato janë kthyer nga një bekim në mallkim për shqiptarët, pasi përvetësohen vetëm nga një pjesë e vogël e popullatës dhe nga qeveritarët.

“Boll vodhe. Ik!”, e vijoi Berisha kumtimin e tij politik, teksa i kërkoi qytetarëve të pranishëm në protestë t’i bashkoheshin kësaj thirrjeje të tij.

Sa i përket negociatave me Bashkimin Evropian, Berisha theksoi se ai shpreson që strukturat e BE-së, të vendosin për hapjen e tyre. Madje, ai ka shkuar deri aty, sa t’i bëjë thirrje komunitetit evropian për këtë çështje.

“I bëj thirrje nga kjo tribunë, t’i hapin negociatat me Shqipërinë dhe të mos ndikohen nga politika e Edi Ramës”, vijoi më tej Berisha.

Ndërsa, mbi zgjedhjen e zhvillimit të protestës, pavarësisht temperaturave të larta, ai e ka argumentuar atë si formë për të ngritur popullin, të cilit po i kryhen padrejtësi mbi kurriz.

Në përmbyllje të tubimit ndërkohë, me flamur kuqezi në dorë, Berisha i bëri thirrje të gjithëve ta duan vendin.

“Rroftë Shqipëria”, e përmbylli kryedemokrati fjalimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore