Shqipëria

Berisha: Qëllimi themelor i revolucionit është mbrojtja e të vërtetave


“Akt revolucionar është të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre”.

Kështu e nisi fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga podiumi përballë Kryeministrisë, referuar një shprehje të autorit George Orwell.

Protestat e thirrur nga opozita e bashkuar shqiptare nisi rreth orës 12:30 dhe do të vijojë me një afat të pacaktuar.

“Do të themi të vërtetat tona, qëllimi më themelor i këtij revolucioni është të mbrojmë të vërtetat. Të bëjmë çdo përpjekje dhe sakrificë për t’i mbrojtur ato”, theksoi fillimisht ish-kryeministri përpara simpatizantëve demokratë.

Qytetarët e pranishëm, sipas tij, në këtë tsunami popullor të revolucionit demokratik, kanë pritur me padurim këtë ditë, “ditën e madhe të siparit të revolucionit të përmbysjes së monizmit të dytë në vend”.

Berisha shtoi se në protestën e fundit, opozita pro-perëndimore u tregoi të vërtetën liderëve evropianë se “Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Evropë”.

“Ai është kreu i narko-shtetit të vetëm në Evropë. Edi Rama duke vjedhur buxhetin është shndërruar në shpresë-vrasësin më të madh në Evropë. Të gjithë e mbani mend baltën që hodhi Edi Rama mbi opozitën për ta mposhtur atë”, vijoi kreu i selisë blu.

Ish-kryeministri garantoi gjatë fjalës së tij se e vërteta kurrë nuk mbulohet dot, “ashtu si ajo rrezja e diellit që shpërndan terrin e errësirës”.

“Sot mediat e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në atë protestë. Sot mediat mbajnë në faqet e para skandalin më të madh botëror të shekullit të fundit. Në këtë skandal Edi Rama përmendet 14 herë, në atë aferë që Rama përdori si vrasës me pagesë një nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit”, akuzoi Berisha.

Thënë kjo, kryedemokrati i kërkoi kreut të Qeverisë që të japë dorëheqjen dhe të largohet nga posti i tij.

“O besëprerë, kombi nuk ka pasur një faqezi të dytë si ti, jep dorëheqjen, largohu! Pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit në të madh të kombit shqiptar”, vërejti ai.

Berisha njofton protestën e radhës para Kuvendit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore