Lajme

Ben-Meir pas zhvillimeve të fundit në Veri: SHBA dhe BE të fillojnë bisedimet me Kurtin e Vuçiç-in


Profesori amerikan dhe eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir

Profesori amerikan dhe eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të nisin bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të përmirësuar situatën në Veri.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, Ben Meir ka thënë se për situatën në Veri duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme.

“BE dhe SHBA duhet të mendojnë dhe të fillojnë bisedën me Kurtin dhe Vuçiçin për një zgjidhje të përhershme, e cila mund të kërkojë që pjesa veriore e Kosovës me shumicë serbe të ketë autonomi të plotë, por të mbetet pjesë integrale e territorit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndryshe, barrikadat tash e 17 ditë barrikadat nuk po largohen.

Ato fillimisht u vunë si shenjë proteste ndaj arrestimit të Dejan Pantiç nga policia, një ish polic serb i Kosovës që tashmë akuzohet për sulm ndaj policisë.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Kjo, pasi qeveria e Kosovës mori vendim të zbatojë masa për vozitësit e makinave me targa ilegale.

Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve Kosova hoqi dorë nga implementimi i masave, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Si përshkallëzim vendosën edhe barrikada në 11 vende. Meqë gjithçka u bllokua, Kosova vendosi të mbyllë dy pika kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova vetë nuk po i largon barrikadat dhe këtë ia ka kërkuar KFOR-it. Deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap as KFOR-i, duke lënë të ngrirë situatën në Veri.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Kurse, më 26 dhjetor, rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore