Lajme

BE-ja s’e shpallë të vdekur Marrëveshjen e Ohrit – Stano: Ujdia është e gjallë dhe në lëvizje


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Unioni insiston që Kosova dhe Serbi të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve të dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

Stano duke u përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do t’i zbatojë vetëm disa pjesë të Marrëveshjes, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes përfshirë edhe aneksin.

Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.

Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.

Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore