Uncategorized

BE, 3.5 milionë euro për migrantët në BeH


Bashkimi Evropian (BE) njoftoi të dielën, se do të rrisë ndihmën për migrantët në Bosnjë dhe Hercegovinë me 3.5 milionë euro, pas një zjarri që dogji kampin Lipa kohët e fundit.

Ndihma shtesë, po u shtohet 4.5 milionë eurove të miratuara nga Brukseli në prill të 2020.

Qindra refugjatë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme, po jetojnë në kushte të papranueshme, pasi qendra ku strehoheshin u shkatërrua nga zjarri.

Kjo erdhi pasi, refugjatët prisnin të transferoheshin në Bradina, një qytet 320 km më larg, në Bosnjën qendrore.

BE-ja bëri thirrje për rindërtimin e kampit Lipa.

Mungesa e një marrëveshjeje mes autoriteteve lokale në Bosnje lidhur me destinacionin e refugjatëve e ka ndërlikuar situatën.

Më parë, banorët e Bradinas organizuan protesta, pas njoftimit se refugjatët do të strehoheshin në qytetin e tyre.

Kampi Lipa,  strehonte rreth 1,200 vetë dhe ishte në plan të mbyllej të mërkurën për riparimet e dimrit.

Qeveria qendrore ka dashur t’i strehonte refugjatët përkohësisht në kampin Bira në Bihac, i cili u mbyll në tetor.

Fillimisht refugjatët pritën më shumë se një ditë për udhëtimin në qendrën e re, por nuk mund të lëviznin pasi nuk ishte arritur një marrëveshje se ku do të dërgoheshin.

BE-ja, e ka mbështetur Bosnjën me 60 milionë euro për të përballuar krizën dhe ka premtuar 25 milionë euro shtesë.

Gjithashku u ka kërkuar në mënyrë të përsëritur autoriteteve të Bosnjes të gjejnë një alternativë të përshtatshme për Kampin Lipa.

Për më tepër ka paralajmëruar se “po afron një krizë humanitare”.

Imigrantët janë përpjekur të kalojnë kufirin me Kroacinë, për të shkuar në vendet e BE-së.

Rreth 10 mijë refugjatë janë aktualisht të bllokuar në Bosnjë. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore