Uncategorized

Rohde shpreh keqardhje që s’është bërë progres për të pagjeturit në 3 vjetët e fundit


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në Ditën Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës, e cila shënohet në Kosovë më 27 prill ka shprehur keqardhje që nuk është bërë progres për të pagjeturit në tre vjetët e fundit për shkak të asaj që ai e ka quajtur “bllokadë politike”.

“25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka ende nevojë për veprim dhe shumë fate mbeten të pazgjidhura. Më shumë se keqardhje që nuk është bërë asnjë progres në 3 vjetët e fundit për shkak të bllokadës politike”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri, Albin Kurit, në 25 vjetorin e Masakrës së Mejës, janë zotuar për drejtësi në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

Osmani, Masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”, duke thënë se nuk do rreshtin së kërkuari drejtësi.

“376 civilë të pafajshëm ju këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë”, tha ajo.

Në anën tjetër Kurti, tha se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore.

“Viti 1999 ishte stinë e vrasjes në kuadër të stilit gjenocidal, andaj pranvera për ne është stinë përkujtimore”.

Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Saranda Bogujevci

Ndërkohë, Osmani të shtunën akuzoi Serbinë se po vazhdon të shkel deklaratën për personat e pagjetur duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27, Osmani në një deklaratë për media tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra, por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave, Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia, vitin e kaluar u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarata ndër të tjera përfshinë qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar. Vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore