Shqipëria

Basha uron pavarësinë e Kosovës me një sy nga e ardhmja: Do të ecim vëllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar përmes një statusi ditën e pavarësisë së Kosovës.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë”, pikënis mesazhi i tij.

Kryedemokrati kujton në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, figura si Ibrahim Rugova apo Adem Jashari.

“Përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë”, vijon urimin Basha.

Ai shprehet krenar për arritjet e deritanishme të vendit. Kreu i selisë blu shfaqet shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës.

“Do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian”, theksoi kryedemokrati.

Shteti më i ri në Evropë, shënjon të mërkurën 14-vjetorin e pavarësisë.

Asambleja shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008, pavarësisht kundërshtimit nga anëtarët serbë.

Kosova tanimë njihet nga 117 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Izraeli u bë shteti i fundit që njohu pavarësinë e saj në vitin 2021.

Serbia, Rusia dhe Kina janë ndër vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Prishtinës ende sot e kësaj dite i mungon anëtarësimi në OKB për shkak të vetos së Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore