Shqipëria

Basha: Sfida jonë, frenimi i ikjes së të rinjve


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim online me studentë dhe përfaqësues të EDS (European Democrat Students), për të diskutuar rreth arsimit.

Basha, gjatë komunikimit me studentët, tha se sfida më e madhe e qeverisë së tij pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi dhe kthimi i atyre që studiojnë jashtë.

“Faktet flasin vetë, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Të dyja këto më dëshpërojnë jashtë mase”.

Sipas tij, e para është e mirëkuptueshme nëse do të lidhej vetëm me studimin jashtë, por zgjedhjen për të mos u kthyer e cilëson si katastrofë kombëtare.

Kreu i opozitës përsëriti angazhimin e tij për të “abroguar ligjin e Edi Ramës” për Arsimin e Lartë dhe në vend të tij, hartimin e një ligji nga pedagogët dhe ekspertët më të mirë konsultuar me vetë studentët.

“Ligji për arsimin e lartë ishte vetëm paralajmërimi i parë në betejën e padrejtë midis një qeverie dhe një kryeministri, i cili sheh te rinia kërcënim ndaj pushtetit absolut, arrogant dhe të korruptuar. Dhe më të vërtetë, sepse është energjia më e madhe transformuese në shoqëri”.

Basha u bëri apel të rinjve, studentëve që të bëhen bashkë, që më 25 prill të bëjnë të mundur “ndryshimin që pret dhe meriton Shqipëria”.

“Gjërat mund të ndryshojnë, gjërat do të ndryshojnë, 25 prilli është ditë ndryshimi. Nuk do të vazhdohet më në këtë rrugë. Shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të bindur se kurrë, pavarësisht bindjeve politike”.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe drejtori i Konrad Adenauer Stiftung (KAS), Tobias Rüttershoff, Carlo Angrisano, president i EDS, dhe Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore