Lajme

Barbano takon Isufajn: EULEX-i mbështet një prokurori profesionale, të pavarur dhe të paanshme


Giovanni Pietro Barbano dhe Blerim Isufaj

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, të enjën ka takuar, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili përkundër insistimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, akoma nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani për Kryeprokuror të Shtetit.

Sipas një postimi të shefit të EULEX-it në rrjetin e tij social “X”, me Isufajn ka diskutuar për bashkëpunimin e rëndësishëm të vazhdueshëm ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe EULEX-it.

“Diskutim përmbajtësor sot gjatë takimit tim njoftues me shefin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Diskutuam bashkëpunimin e rëndësishëm të vazhdueshëm ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe EULEX-it, dhe unë rikonfirmova përkushtimin e Misionit për të mbështetur rolin themelor të një shërbimi prokurorial profesional, të pavarur, të paanshëm dhe objektiv përmes monitorimit tonë të fuqishëm të gjyqësorit të Kosovës”, ka shkruar Barbano në rrjetin e tij social në X.

Ndryshe Isufaj javë më parë u takua edhe me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Diplomati britanik kishte pritur disa prokurorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të një projekti rajonal të Ballkanit Perëndimor të financuar nga Britania e Madhe e që ka për qëllim krijimin e një “zinxhiri më të fortë” të drejtësisë penale, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet prokurorive rajonale.

“Bashkëpunimi mes institucioneve efektive, të pavarura është një element kyç drejt përfundimit të ciklit vicioz të krimit dhe korrupsionit që gërryen besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e ambasadës britanike të publikuar të martën në rrjetet sociale.

Blerim Isufaj dhe Nicholas Abbott

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore