Lajme

Babai i 17-vjeçarit rrëfen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan: Prona e shigjetuar nga prokuroria është e personave të dyshuar për vrasjen


Foto nga vendi i ngjarjes.

Beqë Hamzaj, babai i 17 vjeçarit L.H, njërit prej tre të vrarëve në Gllogjan, në seancën e së premtes në cilësinë e të dëmtuarit ka rrëfyer se si ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe e ka gjetur të birin të vrarë në autobus.

Ai para trupit gjykues është shprehur se, “me dërgu djalin në shkollë dhe më pas të vij në arkivol s’është fare e lehtë”.

Hamzaj, potencoi se në natën kritike kishte marrë telefonatë nga djali i tij, i cili kishte deklaruar se është duke u kthyer në shtëpi dhe se nuk vonohet.

Atë natë djali i tij i ndjerë ishte vonuar dhe pas disa orëve ai ka provuar ta thërras në telefon, por që iu kishte lajmërua një djalë tjetër i cili i ka treguar se kanë gjuajtur me armë në autobus dhe i kishte thënë të shkonte në vendin e ngjarjes.

Ai bëri të ditur se ishte i pari që kishte arritur në vendin tek autobusi dhe afër dritareve të autobusit kishte filluar që ta thërriste emrin e djalit të tij, mirëpo pa përgjigje.

“Në atë moment e kam ditur që është plagosur ose kishte vdekur”, ka thënë Hamzaj.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Ai tha se pas dërgimit të tij në emergjencë në Deçan, të njëjtin e kishin nisur për në Spitalin e Pejës, ku pasi që kishin arritur aty pa gjysmë ore kishin ndërruar jetë.

Më pas dëshmitarit Hamazaj i janë prezantuar disa nga pamjet ku tregohej skica e një pjese të Gllogjanit.

“Lagjja ku e kisha gjetur autobusin quhej “Mahalla e Epërme”, ku sipas tij “prona afër e cila është shigjetuar nga prokuroria është pronë e Mehmetajve”.

Tutje, dëshmitari Hamzaj tha se me të akuzuarin Halil Mehmetaj, ishin shokë të mirë, duke shtuar se kur i kishte ndodhur rasti me vajzën e tyre ishte shkuar si një fëmijë dhe se i njëjti kishte marrë pjesë në varrimin e vajzës së Halilit.

Atë ditë, dëshmitari tha se i akuzuari Halil kishte qenë i qetë, por se tregoi se gjatë ceremonisë së varrimit i njëjti e kishte hequr nga dora orën e tij dhe e kishte futur në arkivolin e vajzës së tij të ndjerë.

“Kjo për disa tregon se si do të marr hak për vajzën, këtë e kam dëgjuar nga të moçmit”, tha dëshmitari Hamzaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua nga një person i maskuar,  derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin.

Ndërsa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Raporti i policisë kishte treguar se dyshimet e para ishin se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore