Lajme

Australi/ Emigrantët qëndrojnë në paraburgim mesatarisht 689 ditë


Sipas organizatës Human Rights Watch (HRW), Australia po i mban emigrantët  në paraburgim për një mesatare prej 689 ditësh.

Kjo mesatare është më shumë se 12 herë më e lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu (HRW) ka rritur tonet e saj për t’i dhënë fund “politikës së ashpër dhe të paligjshme”.

Paraburgimi i shkurtër i yllit të tenisit Novak Gjokovic, në hotelin “Park” në Melburn solli së fundmi vëmendjen globale ndaj politikave të ashpra të emigracionit të Australisë.

Shifrat e Departamentit të Punëve të Brendshme sugjerojnë se 1 mijë e 459 njerëz po mbahen në ambiente të ndryshme të paraburgimit të imigracionit në Australi, duke përfshirë më shumë se 70 refugjatë dhe azilkërkues.

Kohëzgjatja mesatare e paraburgimit është rritur në 689 ditë, shumë më e gjatë se vendet e tjera si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, ku mesatarja është përkatësisht 55 ditë dhe 14 ditë.

Tetë persona tani kanë kaluar më shumë se 10 vjet në paraburgimin e emigracionit australian dhe 117 janë ndaluar për më shumë se pesë vjet.

Një nga ata që janë ende të bllokuar nga autoritetet australiane është Mehdi Ali, i cili u largua nga Irani si një fëmijë 15-vjeçar, duke mbërritur me varkë në Australi për një jetë më të mirë.

Familja e Aliut, pjesë e pakicës arabe të persekutuar Ahwazi, i kërkoi atij të ikte me shpresën se do të gjente lirinë në Australi.

Ai u njoh si refugjat, që do të thotë se Australia i detyrohej atij mbrojtje, por që nga ajo kohë është ndaluar për gati një dekadë nëpër objektet në Nauru, në Brisbane dhe tani hotelin famëkeq të Melburnit.

“Banorët e kësaj ndërtese kanë nevojë të dëshpëruar për liri”, tha Aliu.

“Disa prej tyre mendojnë edhe vetëvrasjen”.

Komiteti i Përhershëm i Përbashkët për Migracionin po shqyrton një projektligj për t’i dhënë fund ndalimit të pacaktuar dhe arbitrar të imigracionit.

Human Rights Watch i ka bërë një paraqitje komitetit, duke argumentuar se alternativat e bazuara në komunitet janë përdorur me sukses në të gjithë Evropën. Ato gjithashtu ndikojnë në uljen e kostove për qeverinë.

Qeveria, kohët e fundit, zbuloi se kushtonte më shumë se 56 mijë dollarë në natë për të strehuar 32 refugjatë dhe azilkërkues në hotelin “Park” në Melburn.

Laburistët thanë se qeveria do të kursente 19 milionë dollarë, duke i zhvendosur të burgosurit në paraburgim komunitar, duke e përshkruar koston e vazhdueshme si “një humbje të pabesueshme të parave të taksapaguesve”.

Elaine Pearson, drejtoresha e Australisë në Human Rights Watch, tha se çmontimi dhe kalimi në paraburgim komunitar do ta sillte Australinë në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare.

“Qeveria australiane duhet të ndalojë ndëshkimin e atyre që mund të kenë ikur nga dhuna e padrejtësitë e tjera dhe të ofrojë alternativa që respektojnë të drejtat e paraburgimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore