Lajme

Asociacioni, kushti i Kosovës për t’u njohur nga Serbia


Nexhmedin Spahiu, analist Politik

Diplomacia evropiane po e mbështetë Kosovën, është mesazhi që lanë pas Escobar dhe Lajçak nga vizita në Kosovë.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se sinjal tjetër është edhe referimi i Kosovës e Serbisë, si shtete e jo si kryeqytete.

“Mesazhi kryesor, pra ajo që tha Eskobari nuk është asgjë e re sepse ky është qëndrimi i Amerikës që prej shpalljes së Kosovës si shtet, por e re është nga Lajçak, pasi për vetë faktin që ka ardhur bashkë me Eskobarin është një tregues diplomatik se diplomacia evropiane po ecën përpara në drejtim të interesit të Kosovës në këtë rast, një diçka që ishte e re është se bashkimi evropian ka përdorur deri tash terma neutralë si Beograd – Prishtinë, kur thua kështu nuk dihet a po flitet për dy kryeqytete të dy shteteve sovrane, apo po flitet për një kryeqytet të një shteti sovran dhe një të provincës”.

“Por kur thua Kosovë-Serbi, kjo çështje mbyll dykuptimësinë dhe këtë e tha Lajçak, dhe e mira është se vjen prej një diplomati që vjen prej një vendi që nuk e ka njohur Kosovën dhe kjo është pozitive”, ka thënë Spahiu në Klan Kosova.

Spahiu beson se çmimi, të cilin do ta paguajë Kosova për t’u njohur nga Serbia është asociacioni.

“Për ne, çmimi që do të paguajë Kosova të marrë njohje nga Serbia është e favorshme, është një momentum të cilin Kosova duhet me e shfrytëzu, sigurisht asociacioni është çmimi”, ka thënë ai.

Sipas tij nevojitet guxim për të ndërmarrë veprime të tilla.

“Asociacionin e paguajmë ne, nuk është e lehtë me i dhënë më shumë influencë ti Serbisë, një vendi që të ka vrarë e prerë, por ky duhet me qenë një veprim prej lideri politik, nuk duhet me u frikësu, Albini ai e ka dëshmu vetën që nuk frikësohet”, ka theksuar ai.

Sipas Spahiut, emisarët treguan se nuk ka prekje të territorit të Kosovës, por deri kur do të prehet, siç e thotë ai, ky pazar, varet prej negociatave, që do t’i udhëheqë Albin Kurti me Aleksandër Vuçiç.

“Është një çështje që nuk duhet të merret me nge, momenti i përshtatshëm është tani, ne nuk mund të presim që të vijnë kohë më të mira për Kosovën, duke pasur parasysh se në arenën ndërkombëtare ShBA-ja ka pësuar humbje pas çlirimit të Kosovës në të gjitha duelet që ka pasur me Rusinë në anë e mbanë botës, humbje në Irak, në Siri, Afganistan, Liban, tash së fundi në Kazakistan por ishte fitore spektakulare e Rusisë, kështu që tani nëse kufijtë e këtyre dy fuqive botërore shtyhen prej Ukrainës e vijnë deri te Bullgaria e Rumania rrezikohet Ballkani, prandaj është interes i Evropës dhe Amerikës, që të përmbyllet sa ma parë kjo çështje”, vlerëson Spahiu.

Ai shpreson që brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje, pasi sipas tij, nëse nuk bëhet brenda këtij viti atëherë çmimi i marrjes së njohjes nga ana e Serbisë në të ardhmen do të jetë shumë më i lartë.

Për tre ditë radhazi, gjatë vizitës në Kosovë, amerikani Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe evropiani Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, realizuan takime me krerët e shtetit të Kosovës dhe përfaqësues të partive opozitare.

Konferenca e fundit e përbashkët nga vizita në Kosovë e Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak ka dhënë mesazhin e qartë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet patjetër të themelohet.

“Pacta Sunt Servanda”, tha Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, duke u thirrur kështu në parimin universal në marrëdhënie ndërkombëtare, i cili nënkupton se “marrëveshjet duhet të mbahen”.

“Ato për çka jeni dakorduar duhet të zbatohen dhe këtë po ua themi të dyja palëve, po e themi këtë në Prishtinë, po e themi këtë në Beograd”, pohoi Lajçak.

“Keni bërë shumë zotime, keni zbatuar shumë prej tyre, por ka edhe një listë të gjërave që duhet ta bëni, Asociacioni është një prej tyre”.

Edhe Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, në fjalimin e tij ishte i prerë.

Mund të diskutohen modalitet e themelimit. Madje shtetet mund të propozojnë edhe vetë variante të ndryshme, por themelimi i Asociacionit është i padiskutueshëm.

“Ka shumë modele. Nuk është thënë të jenë modele që e dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjendet një prej këtyre modaliteteve”, deklaroi, pos tjerash Escobar.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, që tash udhëheqë me të gjitha institucionet në Kosovë, prej kohësh ka qenë kundër themelimit të çfarëdo bashkimi të komunave me shumicë serbe.

“Zajedinca nuk do të formohet kurrë”, ka thënë vetëm para pak ditësh kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një emision televiziv.

I pyetur se a gjasë atëherë të themelohet një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, Konjufca prapë është përgjigjur negativisht.

“As ksi’, as asi’ nuk do të themelohet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore