Lajme

Arrestohet edhe një serb në Veri, dyshohet për kultivim të lëndëve narkotike


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të marte se është arrestuar një qytetar i etnisë serbe në Veri të Kosovës, i cili dyshohet për përpunimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

“Sot, më 04.04.2023, rreth orës 15:20, në vazhdën e hetimit, policia ka identifikuar dhe arrestuar edhe një të dyshuar (të dyshuarin e tretë): R.K., (viti i lindjes 1968, mashkull serb kosovar)”, ka njoftuar policia në faqen e tyre zyrtare.

Ndërkaq, në njoftimin e Policisë thuhet se ky arrestim është në kuadër të Operacionit ‘Shpata’ të nisur në shkurt të këtij viti.

“Më 12.02.2023, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, patën zhvilluar një operacion policorë, të koduar me emrin ‘Shpata’, në rajonin e Mitrovicës Veri, me qëllim të luftimit të kultivimit të lëndëve narkotike”, thuhet aty.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Gjithashtu, shpjegohet se në kuadër të këtij operacioni ishin zbuluar disa laboratorë të përpunimit të bimëve narkotike, dhe se për këtë ishin arrestuar dy persona.

“Gjatë realizimi të atij operacioni policor ishte arritur të zbuloheshin tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Gjatë realizimit të operacionit policorë në fjalë, policia kishte arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj serb”.

Po ashtu, në njoftim thuhet se i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij janë ngritur akuza për dy vepra penale.

“I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti në drejtim të dy veprave penale: ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’ dhe ‘’kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ase bimëve të kanabisit’”.

Fillimisht i arrestuari është intervistuar dhe më pas me aktvendim të prokurorit, “i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”.

Ndërkaq, nga policia potencuan se mbeten të përkushtuar për të luftuar të gjitha aktivitetet kriminale në të gjithë territorin e Kosovës.

“Policia mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet ndaj personave apo grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin, kultivimin apo trafikimin e substancave narkotike (drogave) në përgjithësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore