Shqipëria

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimin për ish-sekretaren e Shëndetësisë, Joana Duro


Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit ka lënë në fuqi dënimin me dy vite e tetë muaj burg për ish-sekretaren e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.

Duro akuzohet se mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë “DRICONS” për të fituar tenderin.

Ajo u arrestua më 2 qershor, ku sipas SPAK nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare).

Kjo, me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), ku prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 – Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se Duro ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330 mijë lekësh, për të favorizuar një Operator Ekonomik.

Këto vlera monetare u dhanë nga zyrtarja tjetër, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Sipas SPAK, nga hetimi ka rezultuar e provuar se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance të dy shtetaset, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të shumës prej 330 mijë lekësh.

Reagimet

Një reflektim mbi çështjen e pati edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, sa i takon çështjes.

Sipas kreut të Qeverisë, e gjithë situata “e vë në siklet” atë vetë dhe gjithë mekanizmin shtetëror, por është një “kuti e Pandorës” që e kanë hapur vetë dhe është një diçka, për të cilën të gjithë duhet të ndihen mirë: funksionimi i sistemit të drejtësisë

“Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore