Sport

Antony, braziliani që po bën për vete klubet e mëdha evropiane


Anësori brazilian i Ajax-it, Antony, është bërë pjesë e rëndësishme e formacionit të Erik ten Hag-ut. Ai ka spostuar në stol, talentin dhe bashkëkombësin e tij, David Neres-in.

Siç raportohet nga gazetari sportiv, Bruno Andrade, i gazetës braziliane “UOL Esporte”, Bayern Munich-u, Barcelona dhe Real Madrid-i janë futur në garë për shërbimet e 21-vjeçarit.

Që nga ardhja e tij në Amsterdam, para një viti nga skuadra e Sao Paulo-s, ai është përfshirë në formacion, duke krijuar tridentin me Dusan Tadic-in dhe Sebastien Haller-in.

Holandezët kërkojnë rreth 40 milionë euro për brazilianin.

Për transferimin e tij u investua pothuajse gjysma e kësaj shume.

Bayern-i e shikon 21-vjeçarin si zëvendësuesin e Kingsley Coman-it. Francezi ka disa sezone të shoqëruar me dëmtime të shpeshta dhe nuk ofron garanci fizike.

Te Barcelona shihet si zëvendësuesi i Ousmane Dembele-s. Dembele nuk ka nënshkruar kontratën e re në “Camp Nou” dhe, në fund të sezonit, pritet të largohet me kosto zero.

Real Madrid-i kërkon të krijojë ekipin e të ardhmes, të mbushur me talentet më të mirë në qarkullim dhe Antony është një prej tyre.

Ai do të formonte tridentin me Vinicius Junior-in dhe Kylian Mbappe-n që synon Real-i.

Antony ka realizuar 12 gola dhe ka dhuruar 12 asiste në 53 paraqitje me Ajax-in, në të gjitha kompeticionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore