Kosova

Ambasada e SHBA-ve në Podgoricë: S’e përkrahim qeverinë e re nëse vihet në pikëpyetje pavarësia e Kosovës


Ambasada e SHBA-ve në Podgoricë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i japin mbështetje Qeverisë së re të Malit të Zi nëse vihen në pikëpyetje dhe diskutohen njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe Bashkimin Evropian dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Ambasada e SHBA-vë në Podgoricë, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka bërë me dije se e mbështesin formimin e Qeverisë së Malit të Zi dhe mandatarin nga “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, ndërsa presin nga ai të jetë i përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, pavarësisht grupacioneve pro-serbe e pro-ruse.

“Ne përkrahim formimin e një qeverie, anëtarët e së cilës do të dënojnë agresionin rus, do të mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, do të forcojnë pjesëmarrjen e Malit të Zi në NATO, do të mbrojnë të drejtat e pakicave dhe do të mbështesin sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për Radio Televizionin e Sllovenisë javën e kaluar, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i Malit të Zi në BE dhe në NATO e përkrahja për integritetin territorial të Ukrainës janë çështje të mbyllura për Malin e Zi.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë të tij para disa muajve, shprehu një shqetësim të thellë për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi kreu i Lëvizjes “Evropa Tani”, një politikan me orientim liberal, por që mbështetej edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore