Shqipëria

Alibeaj, platformë për bashkimin e demokratëve


Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka hartuar platformën ku parashtrohen disa opsione për zgjidhjen e krizës dhe bashkimin e partisë.

“Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga çdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve”.

Ai gjithashtu thekson se anëtarët e përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, duhet të rikthehen në grup, si anëtarë me të drejta të plota.

“Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument”.

Sipas Alibeajt, hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që janë ideologjikisht afër vlerave të PD-së.

Ndërsa, hapi i dytë, sipas tij, është fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege.

“Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel”.

Dhe pika e tretë e kreut të Grupit Parlamentar është ngritja e grupeve të punës për nisjen e fushatës ndërgjegjësuese në bazë, me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore