Lajme

Albulena Haxhiu: Ndihmë juridike falas për të gjithë


Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu

Ndihmë juridike falas do të mund të marrin të gjithë personat në Kosovë, pavarësisht gjendjes ekonomike.

Kjo do të bëhet e mundur pas fuqizimit të ligjit për ndihmë juridike falas, për të cilin Qeveria e Kosovës ka votuar plotësim ndryshimin e këtij projektligji, duke i hapur rrugë këtij procesi.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencioni për ndihmë juridike falas obligohet ta ofrojë këtë shërbim.

“Në momentin e hyrjes në fuqi të plotësim ndryshimit të ligjit për ndihmë juridike falas, obligohet Agjencioni për ndihmë juridike falas për ofrimin e ndihmës juridike për viktimat pavarësisht gjendjes së tyre socioekonomike”, është shprehur Haxhiu.

Varësisht nga lënda në trajtim, në çështje civile apo penale, ndihma juridike do të ofrohet nga avokatët e licencuar në Kosovë.

“Këta avokatë përzgjidhen nga Agjencia për ndihmë juridike falas në bashkëpunim me Odën e Avokatëve”, është deklaruar Haxhiu.

Këtë shërbim, pa pagesë mund ta marrë cdo qytetarë, por ata janë të obliguar fillimisht që të bëjnë kërkesë në mënyrë që shteti të caktojë avokatin për t’i ndihmuar.

“Viktima obligohet që të bëj kërkesën. Ndihma juridike ofrohet në gjithë territorin e Kosovës, konkretisht në secilën zyrë ku vepron Agjencia në komunat e Kosovës”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Alaj-Kalanderi, ka treguar për Albanian Post se ky agjencion – kompetent për organizimin dhe ofrimin e ndihmës juridike falas “është institucion i pavarur publik dhe i vetmi në Kosovë”.

Alaj-Kalanderi, ka thënë se financimi i agjencionit bëhet “nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga donatorët”.

Sa i përket kapaciteteve të këtij agjencioni, Alaj-Kalanderi ka theksuar se e njëjta funksionon në gjithsejtë 34 komuna dhe ka të punësuar mbi 40 punonjës.

“Agjencia funksionon në 21 komuna që mbulohen nga buxheti i Agjencisë, gjashtë komuna nga projekti GIZ dhe në shtatë komuna përmes Klinikes Mobile (lëvizëse) nga projekti UNDP dhe ka të punësuar 43 punonjës”, shtoi ajo.

Për të gjithë përfituesit e ndihmës juridike falas të cilët kanë nevojë për përfaqësim ligjor në gjykata dhe institucione të tjera, drejtoresha e agjencisë ka treguar se “angazhohen avokatët nga lista e ofruar nga Oda e Avokatëve të Kosovës”.

“Viktimat e dhunës që përfitojnë nga ndihma juridike falas kanë të drejtë të përzgjedhin avokatin nga lista që e posedon agjencia”.

Ndërkaq, juristi Artan Çerkini, në një prononcim ka thënë për Albanian Post se Kosova ka nevojë për Agjencione për ndihmë juridike falas, ngase sipas tij, “shteti duhet t’iu sigurojë ndihmë juridike edhe kategorive të popullsisë që nuk kanë mundësi të paguajnë avokat”.

“Pa ndihmë juridike profesionale qytetarët do të hasin në vështirësi në mbrojtjen e të drejtave të tyre të ligjshme”, ka thënë Çerkini.

Se sa do të jetë efikas agjencioni, Çerkini ka thënë se kjo varet nga shumë faktorë siç thotë ai, “sidomos nga niveli profesional i punonjësve të agjencisë dhe të gjithë atyre që do të ofrojnë ndihmë juridike”.

Përmes vendimit të ministrisë së drejtësisë do të mund të përfitojnë “viktimat e dhunës në familje, në baza gjinore, dhunës seksuale, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, viktimat e mitur, fëmijët që jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore, personat të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim dhe personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore