Sport

Al Sadd ka një kërkesë të fundit për Xavi-n para se ai të largohet


Klubi nga Katari, Al Sadd, i ka dhënë dritën jeshile trajnerit të tyre, Xavi Hernandez-it për tu larguar në drejtim të Barcelonës.

Por, sipas gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, drejtuesit e klubit nga Katari kanë edhe një kërkesë të fundit për trajnerin e tyre të adhuruar.

Ata i kanë kërkuar Xavi-t që të udhëheqë klubin e tyre edhe për dy ndeshjet e radhës, ku fillimisht të shtunën do të luajnë kundër Al Ahli Doha, pastaj të mërkurën e 3 nëntorit do të ballafaqohen me rivalët e tyre direkt për titull, Al Duhail, ndërsa pas kësaj ndeshje kampionati i Katarit do të ketë një pauzë.

Pra, kjo do të jetë kërkesa e vetme e drejtuesve të klubit, që siç thuhet në gazetën spanjolle, ata nuk do ta pengojnë largimin e tij, pavarësisht se Xavi ka kontratë deri në vitin 2023.

Por, në marrëveshjen e nënshkrimit të kontratës, ishte një kusht që “në rast se ai vendosë të shkojë në Barcelonë, mos të ketë klauzolë për ndërprerjen e bashkëpunimit”.

Al Sadd, nuk dëshiron ndonjë dëmshpërblim në para për prishjen e kontratës, por kërkon nga Barcelona të zhvillojë ndonjë miqësore kundër klubit të tyre në Doha.

Kujtojmë që Xavi është pjesë e skuadrës së Al Sadd që nga viti 2015, ku fillimisht ishte si futbollist për katër vite, pastaj mori rolin e trajnerit.

Ndërsa para se të shkonte në Katar, Xavi e kaloi gjithë karrierën e tij në Barcelonë, ku ka zhvilluar 767 ndeshje në të gjitha garat.

Ai pritet që të marrë drejtimin e Barcelonës, pas shkarkimit të trajnerit Ronald Koeman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore