Lajme

“Al Jazeera” publikon artikull për Vasfije Krasniqi-Goodman


Gazeta “Al Jazeera” ka publikuar një artikull të shkruar nga gazetarja Valerie Plesch, kushtuar deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, i cila është njëra ndër viktimat të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit të zhvilluar në Kosovë.

Në artikullin e publikuar përshkruhet në detaje rasti i kidnapimit dhe përdhunimit të Vasfijes, autorët e së cilit më pas u liruan.

“Përdhunuesit e saj, dy policë serbë, e rrëmbyen dhe përdhunuan atë kur ajo ishte 16 vjeç gjatë Luftës së Kosovës. Ata u paditën për krimin por më pas u liruan nga Gjykata Supreme e Kosovës në 2014.”, shkruan “Al Jazeera”.

Në shkrimin e publikuar vend zë edhe veprimtaria politike e Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila në zgjedhjet e fundit fitoi votat e mjaftueshme për tu bërë pjesë e parlamentit të Republikës së Kosovës.

“Në fillim të këtij viti, ajo vendosi të kandidojë për një vend në parlamentin e Kosovës gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ajo dhe partia në të cilën ajo u bashkua, opozita e krahut të majtë, Partia Vetëvendosje (Lëvizja Vetëvendosje), fitoi me një rezultat të madh me 48 % të votave. Ndërsa vetë ajo fitoi 61,885 vota.”, shkruan Plesch.

Gazetarja, Valerie Plesch, ka publikuar edhe statistika të grave të dhunuara gjatë luftës me shtetin serb dhe mos paditjen e shumë prej këtyre krimeve nga ana e grave kosovare.

“Gjatë Luftës së Kosovës 1998-99, burime të ndryshme vlerësojnë se 20,000 gra dhe burra u përdhunuan dhe u torturuan nga policia serbe dhe ushtria jugosllave. Turpi dhe stigmatizimi që rrethojnë temën e përdhunimit gjatë luftës nuk lejojnë që të mbijetuarit të flasin publikisht për atë që u ndodhi atyre 22 vjet më parë.”, thuhet më tej në artikull.

Vend në këtë shkrim zë edhe historia e aktivistes të së drejtave të grave, Nazlie Bala, dhe angazhimi i saj gjatë luftës.

“Gjatë luftës, ajo mblodhi mijëra dëshmi nga të mbijetuarit e përdhunimit në kampet e refugjatëve në Maqedoni të Veriut. Pas përfundimit të luftës në 1999 dhe ndërsa Kosova filloi të rindërtohej, ajo tha se shoqëria e Kosovës nuk ishte e gatshme të pranonte të vërtetën për përdhunimet e luftës”, shkruan gazetarja Plesch.

Artikulli i “Al Jazeera” përfundon duke e quajtur Vasfijen si një influencë për gratë e tjera që t’i paraqesin rastet e tyre të dhunës së përjetuar në luftën e fundit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore