Lajme

Ajay Banga është presidenti i ri i Bankës Botërore


Ajay Banga, kandidati i SHBA-ve, është zgjedhur presidenti i ri i Bankës Botërore, konfirmon institucioni në një deklaratë.

Banga ishte kandidati i vetëm dhe përzgjedhja e tij nuk është surprizë.

Ajay Banga është një amerikan me origjinë indiane, i emëruar nga presidenti amerikan Joe Biden.

Banga do të zëvendësojë David Malpass, gjithashtu një amerikan, i cili më parë ka shërbyer në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Ai duhet të marrë detyrën më 1 qershor, kanë thënë nga Banka Botërore, transmeton agjencia “AFP”.

Presidenti i sapozgjedhur ka thënë vazhdimisht se prioritet do të jetë financimi i luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe reforma e Bankës Botërore.

Biden e përgëzoi Banga-n për “zgjedhjen e tij të shkëlqyer” për të udhëhequr Bankën Botërore, të cilën ai e përshkroi si “një nga institucionet më kritike të njerëzimit për uljen e varfërisë dhe përhapjen e prosperitetit në mbarë botën”.

“Ajay Banga do të jetë një udhëheqës transformues, duke sjellë ekspertizë, përvojë dhe inovacion në pozicionin e presidentit të Bankës Botërore”, tha Biden, duke cituar Reuters. “Ai do të ndihmojë në drejtimin e institucionit ndërsa zhvillohet dhe zgjerohet për të adresuar sfidat globale që ndikojnë drejtpërdrejt në misionin e tij kryesor të reduktimit të varfërisë – duke përfshirë ndryshimin e klimës”.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, një amerikan ka udhëhequr Bankën Botërore, dhe kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është gjithmonë një evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore