Lajme

Ahmeti: S’mund të ketë një Serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrëdhëniet me Kosovën


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Ohër të Maqedonisë Veriore, ka thënë se kjo që po bëhet sot është në të mirën e të dyja vendeve.

Sipas tij, nuk mund të ketë një Serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Kosovën.

“Serbia duhet të reflektojë dhe të afroj drejt anëtarësimit në BE. Nuk mund të ketë një Serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Kosovën”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

“Qëndroj në mbështetje të fuqishme të Kosovës në momentet vendimtare në dialogun e saj me Serbinë dhe në të gjitha hapat e mëtejmë për rrumbullakësimin e plotë të shtetësisë së saj në të gjitha nivelet ndërkombëtare”.

Ai ka theksuar Kosova e pavarur është realitet dhe drejtësi e ardhur në vendin e vet e konfirmuar edhe nga Evropa dhe SHBA-të që nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë.

“Inkurajova Kryeministrin Kurti për epilog pozitiv të dialogut mbi parimet e proklamuara të njohjes së ndërsjellë nga ndërmjetësuesit e BE-së që kanë qëllimin e sinqertë të ruajtjes së stabilitetit dhe ardhmërinë evropiane të mbarë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar lideri i BDI-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore