Sport

Aguero mendon largimin nga Barcelona


Largimi i Lionel Messi-t nga Barcelona ka trazuar jo pak ujërat në “Camp Nou”. Sergio Aguero, një nga afrimet e kësaj vere te Barcelona, po mendon largimin nga klubi pa bërë asnjë ndeshje zyrtare.

Aguero u transferua nga Manchester City me parametra zero pasi përfundoi kontratën me anglezët. Ai u afrua në “Camp Nou” me preteksin se do të luante së bashku me Messi-n, shokun e skuadrës te Kombëtarja e Argjentinës.

Tashmë që Messi u largua dhe duket pranë kalimit te PSG-ja, Aguero është zemëruar me Barcelona-n dhe po mendon të ardhmen, raporton gazeta e përditshme spanjolle “AS”.

Ish-lojtari i City-t ka udhëzuar avokatët e tij të analizojnë kontratën që ka nënshkruar me Barcelona-n pak javë më parë.

Në krahun tjetër, problemet e Barcelona-s nuk kanë fund, pasi ata përveç largimit të Messi-t duhet të shkurtojnë pagat në mënyrë që të arrijnë nivelin e përcaktuar nga La Liga dhe të regjistrojnë lojtarët e afruar këtë verë, ku mes tyre edhe Aguero-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore