Lajme

Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampe


Afganët e parë në Kosovë

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Rreth 700 afganë, që përmes disa fluturimeve u sollën në Kosovë, për një kohë të pacaktuar do të mbesin të izoluar, shumica prej tyre në kampin e kompanisë së ndërtimit të rrugëve, Bechtel-Enka si dhe pjesa tjetër në kampin e ushtrisë amerikane, Bondsteel.

Kampi i Bechtel-Enkas ku janë strehuar shumica e afganëve ndodhet në Ferizaj, rreth 40 kilometra larg Prishtinës dhe më pak se tri kilometra larg kampit Bondsteel.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tregoi arsyet se pse afganët që janë të strehuar në Kosovë, po mbahen të mbyllur.

“Për shkak të rrethanave në të cilat vendi ynë gjendet, për shkak të proceduarave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për shkak të pandemisë dhe sigurisë, momentalisht ata janë të lirë të qarkullojnë brenda komplekseve ku janë të vendosur. Ditëve në vijmë ne do të përgatitemi që t’ua mundësojmë edhe lirinë e lëvizjes”, tha Sveçla për REL.

Ministri Sveçla theksoi se ata mund të lëvizin me ndonjë asistencë vetëm në raste të veçanta.

“Për arsye emergjente ata mund të lëvizini apo ne mund t’i asistojmë, por aktualisht për shkak të rrethanave, ata duhet të qëndrojnë brenda komplekseve ku janë”, tha ai.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit.

Operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar NATO-ja.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore