Përballje

Fazlija: Do të japim maksimumin ndaj Polonisë


Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave në futboll, do të ballafaqohet me atë të Polonisë të enjten, në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Kupën e Botës.

Gjatë ditës së mërkurë, Dardanet kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore, para kësaj ndeshje të rëndësishme.

Pas stërvitjes, përzgjedhësja Afërdita Fazlija, foli në konferencën për media, teksa tha se nuk kanë frikë nga përballja me Poloninë.

“Jemi në një grup të fortë, ku edhe Polonia i bashkëngjitet Norvegjisë dhe Belgjikës. Megjithatë, ne jemi munduar ta analizojmë ekipin kundërshtar dhe nuk do të thotë se ne nuk do të japim maksimumin edhe pse Polonia shihet si favorit në letër”, tha Fazlija në konferencën për media.

“Nuk do të jetë e lehtë dhe nuk është kundërshtar që nuk e njohim. Megjithatë, unë shpresoj që nëse nesër do të mund t’i pasqyrojmë të gjitha vlerat që i kemi shpresoj në rezultat pozitiv”, tha mes tjerash Afërdita Fazlija.

Për këtë sfidë, Fazlija nuk do të ketë në dispozicion futbollisten, Modesta Uka, derisa ajo shpreson që edhe futbollistet e tjera t’i bëjnë ballë Polonisë.

Ndeshja Kosovë – Poloni, do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 16:00.

Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova pozicionohet në vendin e pestë të Grupit F, me katër pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Shqipëria e vendit të katërt.

Derisa grupit i prinë Norvegjia me 10 pikë, pasuar nga Polonia me tetë, e Belgjika me shtatë pikë.

Pas kësaj ndeshje, kosovaret do ta zhvillojnë edhe një takim në Prishinë, atë kundër Shqipërisë më 30 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore