Kosova

AAK propozon 5 amendamente për buxhetin e vitit 2024, njëra ndër to rritja e koeficientit


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se partia që ai bënë pjesë, tanimë i ka përgatitur pesë (5) amendamente që do të kërkojë që të futen në buxhetin e vitit 2024, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë këtë javë.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se buxheti i vitit 2024 që kaloi në lexim të parë, “fatkeqësisht nuk parasheh efekte reale, as në pagat në sektorin publik, e as në ekonominë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë”.

Prandaj, ai theksoi se Grupi Parlamentar i AAK-së, i ka përgatitur pesë kërkesa konkrete për amendamentim që kanë dalur nga tryeza e 9-të e kësaj partie.

“Amendamenti i parë vjen nga përfaqësuesit e sindikatave të sektorit publik për ngritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro; Amendamenti për Kontratën Kolektive; Buxhetimi i Autostradës së Dukagjinit”, janë tri propozimet e para të kësaj partie opozitare.

Përveç këtyre, nga AAK kanë propozuar edhe amendamentin për Sigurimet Shëndetësore, si dhe atë për vijë buxhetore për rritjen e pensioneve.

Tutje, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së njoftoi se gjatë javës së ardhshme do të zhvillojnë diskutim publik për amendamente të tjera.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten e 16 nëntorit, e kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024.

Pro kanë qenë 62 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas hedhjes në votim të këtij projektligji, deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën në shenjë revolte.

Në projektbuxhetin për vitin 2024 parashihet që mbi 1 miliard euro të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për investime kapitale, ndërsa 800 milionë euro për paga e shtesa. Gjithashtu, afër 500 milionë euro parashihen të shkojnë për mallra dhe shërbime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore