Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, ka kërcënuar se do të “kthejë Liban-in në Epokën e Gurit” dhe ka sulmuar Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollah-ut, Hassan Nasrallah, duke e quajtur atë “të dobët” dhe “mi që fshihet në bodrum”.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta libaneze “L’Orient-Le Jour”.
“Hassan Nasrallah bën dredhi sepse është i dobët. Ai fshihet si miu në bodrum”, tha Cohen në një intervistë për median saudite Elaph.
Për të, “Hezbollah-u është një degë e Iran-it në Liban”, dhe partia shiite e ka “transformuar Liban-in nga një shtet i begatë në një shtet të shkatërruar, ndërsa Izraeli mbetet një vend i fortë”.
“Hassan Nasrallah tha në vitin 2006 se nuk e njihte forcën e Izraelit. Ne sugjerojmë që të mos e përjetojë më atë. Izraeli mund ta kthejë Libanin në Epokën e Gurit”, shtoi ministri.
I pyetur për tendat e Hezbollah-ut në kufirin me Izraelin, ai tha se vendi i tij “di se si të mbyllë llogaritë në kohën e duhur dhe të zgjidhë atë që nevojitet kur është koha e duhur. Të gjitha opsionet janë në tryezë, duke përfshirë opsionet diplomatike dhe ushtarake”.
Për mundësinë e shënjestrimit të drejtpërdrejtë të Nasrallah-ut ose liderëve të tjerë të partisë së tij, Cohen tha se nuk dëshiron të shtjellojë, “por unë e them qartë se Izraeli mund të arrijë këdo, kudo”.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm vijnë pasi tensionet midis Liban-it dhe Izraelit janë përshkallëzuar javët e fundit në zonën kufitare, ku janë regjistruar disa incidente sigurie, veçanërisht pas aneksimit nga shteti hebre të pjesës në veri të fshatit të afërt Ghajar, të ndarë nga OKB-ja.
Disa ditë pasi forcat izraelite rrethuan këtë pjesë veriore, Izraeli dhe palë të paidentifikuara në Liban-in jugor shkëmbyen zjarr artilerie.
Forcat izraelite plagosën gjithashtu tre operativë të Hezbollah-ut me një granatë trullosëse pranë qytetit Bustan.
Cohen dha intervistën e tij për mediat saudite teksa Arabia Saudite punon në prapaskenë për të krijuar lidhje me Izraelin nën shtytjen e SHBA-ve, të cilat prej muajsh kërkojnë të arrijnë një marrëveshje historike midis dy vendeve në funksion të fushatës presidenciale amerikane dhe kandidaturës së Joe Biden.
Marrë dhe përshtatur nga L’Orient-Le Jour për Albanian Post
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Vizita e Cameron në Tiranë: Fokus emigrantët dhe plani për gjyqësorin
-
SPAK goditi 7 grupe kriminale, GJKKO konfirmon masat arrest në burg për 9 të arrestuar
-
A mundet Netanyahu të pengojë zgjedhjet e parakohshme dhe një strategji për Gazën?
-
De Rui: Drafti i Lajçakut të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese