Biznes

Prokurorët koreano-jugor besojnë se Do Kwon fshihet në Serbi


Në Korenë e Jugut, prokurorët besojnë se sipërmarrësi i dështuar Do Kwon fshihet në Serbi.

Sakaq, ata kanë intensifikuar kërkimin e tyre global prej muajsh për mbretin e turpëruar të kriptove.

Ata po kërkojnë të bashkëpunojnë me autoritetet serbe për ta lokalizuar dhe arrestuar atë, sipas Zyrës së Prokurorit të Rrethit Jugor të Seulit që po heton kolapsin e operatorit të kriptomonedhës Terraform Labs të Kwon.

Kwon është akuzuar për mashtrim dhe shkelje të ligjit të tregjeve të kapitalit në vendin e tij pas rënies së monedhave të tij terraUSD dhe luna në maj.

Referuar prokurorëve, ai ka kaluar tranzit në një vend të panjohur nëpërmjet Dubait pasi u largua nga Singapori, ku ishte selia e Terraform.

Ndërkohë, Koreja e Jugut ia hoqi pasaportën në nëntor.

Interpoli ka lëshuar një njoftim të kuq kundër Kwon me kërkesë të Seulit.

Koreja e Jugut nuk ka një traktat ekstradimi me Serbinë, por të dyja vendet kanë aderuar në Konventën Evropiane për Ekstradimin.

Investitorët kanë nisur një padi kolektive kundër Kwon në Singapor dhe SHBA.

Nga ana tjetër, ai ka mohuar çdo keqbërje megjithëse u ka kërkuar falje viktimave të kolapsit të sistemit të tij blockchain.

Ai ka pohuar se akuzat e Koresë së Jugut kundër tij nuk ishin “legjitime” dhe se ishin “të motivuara politikisht”.

“Pavarësisht njoftimit të kuq të Interpolit, nuk do të jetë e lehtë ta ndalosh dhe ekstradosh atë në Korenë e Jugut”, ka thënë Kim Hyoung-joong, kreu i Qendrës Kërkimore të Kriptomonedhave në Universitetin e Koresë.

Sipas tij, ai mund të ketë ikur në një vend tjetër, duke pasur parasysh kontrollin e dobët kufitar në Evropë.

Shkaku kryesor i rrëzimit të kriptomonedhave të Kwon mbetet i panjohur, pavarësisht hetimit të zgjeruar të prokurorëve koreanë.

Po ashtu ata kanë kërkuar edhe një urdhër arresti për Daniel Shin, bashkëthemeluesin e Terraform Labs, por kërkesa është refuzuar nga një gjykatë e Koresë së Jugut.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore