Shqipëria

60-vjetori i krijimit të USAID, Yuri Kim kujton ndihmën ndaj popullit shqiptar


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, pasditen e 3 nëntorit ka kujtuar 60-vjetorin e krijimit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, Kim ka shprehur mirënjohjen për ndihmat jetike që USAID ka dhënë për zhvillim dhe humanizëm nga populli amerikan.

“Krenare për punën e USAID në Shqipëri, për bujqësinë, sipërmarrjen, arsimin, kujdesin shëndetësor, efikasitetin e energjisë, reformën në drejtësi ndihmën në rast fatkeqësish dhe shumë më tepër”, vendos theksin ambasadorja Kim.

USAID

USAID është krijuar në vitin 1961. Punën e saj në Shqipëri e ka nisur që prej 1992-it.

Që prej kësaj kohe, qeveria amerikane ka dhënë ndihmë të huaj për të mbështetur zhvillimin, stabilitetin dhe integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Ndihma e SHBA-ve ka ndihmuar Shqipërinë të kalojë nga shteti komunist më i izoluar dhe më represiv në Evropë, në një demokraci me një ekonomi të orientuar nga tregu.

Programi aktual i USAID punon me Qeverinë e Shqipërisë dhe sektorin privat për reformat transformuese për të forcuar institucionet demokratike dhe për të mbështetur rritjen ekonomike.

Foto nga Erald Lamja, Tetra-Tech për Projektin e Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore nga USAID.

Konkretisht, USAID-i ndihmon Shqipërinë në forcimin e sundimit të ligjit – duke ndërtuar aftësitë e avokatëve dhe gjyqtarëve, si dhe duke siguruar që gjykatat të funksionojnë siç duhet.

Gjithashtu ndihmon në rritjen e aftësisë së qeverive vendore për të mbledhur të ardhura dhe për të ofruar shërbime më efektive për qytetarët në fusha që variojnë nga kujdesi shëndetësor deri tek uji i pastër.

Po ashtu dhe në përmirësimin e konkurrencës së biznesit, duke forcuar sektorin financiar për të mbështetur më mirë zhvillimin ekonomik dhe sigurinë financiare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore