Kosova

23 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës – kërkohet niveli i sigurisë në çdo cep


Ceremonia e organizuar për nder të 23 vjetorit të Policisë së Kosovës.

Të martën e 6 shtatorit, Policia e Kosovës shënoi 23 vjetorin e themelimit të saj.

Përmes një ceremonie të organizuar morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla të cilët shfrytëzuan rastin t’i urojnë policët por edhe të kërkojnë nga ta që të rrisin kapacitetet.

Osmani gjatë kësaj ceremonie uroi të gjithë pjesëtaret e saj, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Policisë në Interpol.

“Policia e shtetit tonë me të gjitha segmentet e saj, përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e vendit ka shfrytëzuar rastin të kujtoj edhe policët që kanë rënë gjatë detyrës së tyre.

“Kujtojmë policët që kanë rënë në detyrë si Enver Zymberi. Policia është kujdesur që kufijtë të mbrohen e mbikëqyren. Ne bëhemi faktor për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtarë. Anëtarësimi në Interpol është shumë i rëndësishëm”.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka apeluar tek policia që të jetë në nivelin më të lartë të detyrës në çdo rrugë e çdo cep të vendit.

“Mbani përgjegjësi detyrat tuaja ashtu siç edhe ne si qeveri mbajmë përgjegjësitë e tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar, trasoni rrugë që janë lehtësisht të kalueshme për të gjithë”.

Gjatë fjalimit të tij ai ka përmendur edhe rastin e fundit të 11-vjeçares së dhunuar.

“Javën që shkoj ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë. Një vajzë e mitur që do të duhej të ishte në bankat shkollore në klasën e pestë ose 6 ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se shteti duhet të ofrojnë drejtësi për të gjithë dhe dënim meritor për kryerësit e veprave kriminale. “

Shteti ynë duhet të ofrojnë drejtësi për të gjithë e dënim meritor për kryesit e veprave kriminale. Ne duhet të rrisim sigurinë në vend për të gjithë qytetarët, por në veçanti për ata më të lëndueshmit, fëmijët dhe gratë tona”.

Sipas tij, “në detyrën për t’i mbrojtur si institucione jemi ballafaquar me sfida, në të cilat edhe jo rrallëherë kemi dështuar”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në vitet e fundit Kosova ka aplikuar dhe synon të bëhet anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit e Evropës e organizata të tjera.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë janë 117 vende që e njohin shtetin e Kosovës.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL “pre e kalkulimeve politike”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore